Kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, zhvilloi sot një takim me të rinjtë në Tiranë, ku theksoi rëndësinë e arsimit si një nga shtyllat kryesore të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Lapaj u shpreh se ka ardhur koha që të ndryshohet modeli i të rinjve që servilosen apo mallkojnë, dhe të promovohet një model i të riut kritik dhe idealist. Ai theksoi se ndryshimet e mëdha nuk ndodhin menjëherë, por nisin nga pak njerëz me ideale të forta.
Sipas tij, arsimi është baza për çdo zhvillim, dhe nismat e koalicionit synojnë që buxheti për arsimin të rritet në 5% të PBB-së në fazën e parë, për të arritur më pas në 7%.
“Ka të rinj që i bien për shkurt, por ky model na ka sjellë në këtë derexhe. Arsimi është kryesorja. Janë tre vende bosh dhe vijnë të tjerat. Ne duam ta bëjmë në 5% të buxhetit për arsimin, më vonë në 7%,” tha Lapaj.
Ai shtoi gjithashtu se vendet e vogla mund të prodhojnë ide novatore më shumë se ato të mëdha, duke sjellë si shembull Maltën, një vend pa burime natyrore uji, por që ofron furnizim të pandërprerë me ujë 24 orë në ditë.
“Kini besim se kjo bëhet. Malta nuk ka burime natyrore uji, ndërkohë ka 24 orë ujë pa ndërprerje, ndërsa ne ende flasim për ujë me gjithë këtë pasuri të madhe ujore”, përfundoi Lapaj.
‘Arsimi, prioriteti ynë kryesor’, Lapaj: Synojmë t’i dedikojmë 7% të buxhetit kombëtar, koha për një model të ri
