Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me lajmin që shpërtheu në media se ishte dërguar zyrtarisht kërkesa për ekstradimin e tij. Ahmetaj, përmes një reagimi në rrjetet sociale, theksoi se ky është një lajm i rremë dhe se kërkesa për ekstradim ka mbi dy vite që është bërë, pra në 18 gusht të 2023 dhe sipas ligjit bëhet vetëm një herë. Ai thekson se përhapja e lajmeve të rreme është bërë me qëllim që të hiqet vëmendja nga megaskandalet e fundit dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës. “Një qëndrim për sa i përket lajmit të sotëm të rremë që Ministria e Drejtësisë paska dorëzuar një kërkesë të re për ekstradim, dua të sqaroj sa vijon:
Kërkesa për ekstradim ka mbi dy vjet që është bërë me urgjencë në 18 Gusht të vitit 2023. Ligji e përcakton që bëhet vetëm një kërkesë. Dhe sikur të kishte do të ishte në vazhdën e tymnajës…
Pseudo-transferta ka mbi një vit që hetohet dhe prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe kujtdo tjetër, e aq më tepër biznesmenëve apo biznesmenit në fjalë. Le të ngelet si sfidë!!! Shume shpejt “përkthehet” letër-porosia.
Pse bëhet zhurma e iniciuar me qëllim nga regjimi??? E thjeshtë fare! Të hiqet vëmendja nga mega skandalet e fundit dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.
Më shumë detaje, në vijim….”, shkruan Ahmetaj.
Pse lajmi mund të jetë gatuar nga Belinda Balluku?
Ishte Top Channel që e raportoi i pari këtë lajm. Ahmetaj ka deklaruar prej kohësh se politika editoriale e këtij televizioni kontrollohet nga Belinda Balluku. “Drejtoreshë editoriale e Top Channel është Balluku, e kam nga burime të brendshme”, tha Ahmetaj disa kohë më parë. Dhe sot, në kulmin e skandalit të dosjes së SPAK që shpërtheu mbi ministren e Infrastrukturës, ekrani i Top Channel ka qenë në “zi”. Edhe mediat e tjera si Klan Tv, apo Vizion Plus kanë “qepur” gojën. Dhe sigurisht kjo heshtje nuk bëhet pa një përfitim nga pas. Në qeveri ka plasur “bomba”, pasi zv/kryeministrja është marrë e pandehur nga SPAK. Mediat e saj që e promovojnë në çdo takim duhet të fokusohen diku tjetër, pasi Balluku vazhdon të mbajë pozicionet e larta në qeveri, pavarësisht se akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera lidhur me tunelin e Llogarasë, një nga projektet më të kushtueshme të infrastrukturës në pesë vitet e fundit. Sipas hetimeve të SPAK, Balluku akuzohet se kontrolloi çdo hap të projektit rreth 190 milionë euro dhe paracaktoi fituesin, në shkelje të kritereve standarde të tenderit. Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Ramës si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në vitin 2019 dhe kontrollon prej më shumë se pesë vitesh portofolin më të madh qeveritar. Ajo është gjithashtu zyrtarja më e lartë që përballet aktualisht me akuzat e SPAK, pas një linje të gjatë bashkëpunëtorësh të ngushtë të Ramës që e humbën pushtetin për shkak të akuzave penale si Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë apo më herët Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm. Vetë Rama ka zgjedhur përgjithësisht të mos konfrontohet me sistemin e drejtësisë kur merren nën akuzë zyrtarë të lartë të qeverisë së tij, por është kujdesur që të distancohet prej tyre. Për herë të parë me Ballukun, Rama po i qëndron në krah numrit 2 të qeverisë, ndërkohë që ka shmangur komentet ndaj akuzave të ngritura ndaj saj.
