Edicioni i katërt i Big Brother VIP Kosova ka nisur zyrtarisht, duke sjellë në ekran emra të rinj, opinionistë të përzgjedhur dhe prezantimin e banorëve të parë që do të garojnë për çmimin e madh.
Këngëtarja e njohur Leonora Jakupi është një nga risitë e këtij sezoni. Ajo ka pranuar rolin e opinionistes, duke e cilësuar këtë pjesëmarrje si një eksperiencë krejt të re për të.
“Është një emocion i veçantë, një eksperiencë ndryshe. E kam pasur shumë të vështirë t’i thoja ‘po’ këtij formati,” u shpreh Leonora, e cila theksoi se roli i saj do të jetë kryesisht analizues dhe këshillues.
Aktorja Olta Gixhari i rikthehet formatit për të dytin vit radhazi, sërish në rolin e opinionistes.
“Për mua është një nder i madh. Nuk ka më bukur sesa të jesh pjesë e një reality show kaq të madh,” tha ajo.
Banorja e parë e këtij edicioni është Hygerta Sako, e cila u prezantua në një hyrje simbolike me sy të mbyllur. E emocionuar, Hygerta tha se ndihet me fat që hyri e para dhe se dëshira e saj është të largohet vetëm në fund të lojës.
Ish-banori i BBVK, Blero Muharremi, prezantoi banoren e dytë, Benita Zena, e cila i bashkohet garës me energji dhe ambicie për t’u përballur me sfidat e formatit. Gjatë prezantimit, Blero tha se do të merrte pjesë sërish në Big Brother vetëm nëse organizohet një edicion me yjet e sezoneve të kaluara.
I treti që hyri në shtëpi është Getoari, i cili u shpreh hapur për një “vijë të kuqe” personale:
“Jam i martuar, ndaj dua që vajzat e shtëpisë të mos më presin,” tha ai me humor, duke prezantuar kufijtë e tij që në fillim.
Banorja e radhës është Elijona, e cila vjen si konkurrentja më e re në moshë e këtij edicioni.
“Nëse dikush më prek në pika të dobëta, më mirë të zhduket,” deklaroi ajo në klipin prezantues, duke lënë të kuptohet se është gati për çdo sfidë.
Nis edicioni i katërt i Big Brother VIP Kosova, opinionistë të rinj, banorë të parë dhe surpriza në spektakël
