“Tymnajë politike”, Ahmetaj shpërthen: Nëse ekziston një euro transaksion, do të isha i varur në Tiranë

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në një lidhje telefonike për një emision televziiv, ka hedhur akuza të rënda duke e cilësuar çështjen e ngritur ndaj tij si një “tymnajë” të qëllimshme për të shmangur vëmendjen e publikut nga skandalet qeveritare.
Ai sfidoi SPAK dhe këdo tjetër të paraqesë prova për një “pseudo-transaksion”, duke deklaruar se nëse do të ekzistonte qoftë edhe një transaksion i vetëm prej një euroje, ai “do të ishte i varur në Tiranë”.Ahmetaj theksoi se një letër-porosi e ardhur nga Austria që në muajin maj, sipas tij, konfirmon se nuk ka asnjë lidhje me të. Ai deklaroi në mënyrë kategorike se ka “zero transaksione” jo vetëm me Austrinë, por me “gjithë globin, me parajsa fiskale, me kripto”. Sipas tij, urgjenca e treguar për urdhër-arrestin e tij ishte “shembullore”, në kontrast me raste të tjera ku drejtësia ka vonuar me muaj apo edhe vite.
Ish-numri dy i qeverisë argumentoi se e gjithë kjo situatë është një strategji për të mbuluar afera të mëdha korruptive. Ai përmendi një sërë çështjesh të nxehta mediatike, duke thënë se media dhe opinioni publik po devijohen nga skandale si “urat që mungojnë në Llogara, paratë e inceneratorëve, fondet e IPARD-it, çështja Begeti dhe Ecoparku”. Ahmetaj shkoi më tej duke akuzuar se kjo manovër synon të mbulojë edhe “përfshirjen me organizatat kriminale dhe me kartelet e drogës”.
Në një moment debati, Ahmetaj bëri një dallim të qartë mes “kreut të organizatës dhe shpurës së tij” dhe Partisë Socialiste, të cilën e cilësoi si “të mpirë”. Ky pohim u kundërshtua nga gazetari, i cili argumentoi se nëse kreu i organizatës është lideri i partisë, atëherë vetë Partia Socialiste është pjesë e këtij mekanizmi kriminal. Ahmetaj këmbënguli se këto janë dy gjëra të ndryshme.
Në fund, ai përsëriti me forcë pafajësinë e tij, duke përdorur një gjuhë dramatike dhe duke bërë një paralele me dosje të tjera korrupsioni. “Po të kisha bërë unë jo 5D, po gjysmë D dhe gjysmë B, sot do isha i varur në Tiranë,” deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se akuzat ndaj tij janë të pabaza dhe të motivuara politikisht.