Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim të dyshuar si autorë të shpërthimit të ndodhur ditën e djeshme në restorantin ‘Perla e Detit’ në zonën e Kamzës.
Jeton Lami 31 vjeç, Florin Domi 30 vjeç dhe Flogert Mezhika 34 vjeç, janë personat e arrestuar ndërsa në kërkim është shpallur E. L., 31 vjeç, të gjithë banues në Kamëz. Jeton Lami është ish-oficer i forcave Operacionale, i liruar nga burgu në shtator të vitit 2023, i dënuar për ‘shpërdorim detyre’ teksa dyshohet se ka shoqëruar me makinë të shumëkërkuarin Ervis Martinaj në Durrës, para se ky i fundit të zhdukej pa lënë gjurmë.
Shkak për hedhjen e eksplozivit në pjesën e jashtme të biznesit, mësohet të jetë bërë shuma e 500 000 eurove, gjobë kjo që autorët i kishin vendosur pronarit Saimir Sina ndërsa ky i fundit kishte refuzuar që t’ia jepte. Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Godina e restorantit është në pronësi të Saimir Sinës, por i marrë me qira nga 2 kunetërit Klodjan Murati dhe Benard Elezi. Këta të fundit deklaruan ditën e djeshme se nuk kanë konflikte me njeri.
“Tiranë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Motivi”.
Zbardhet brenda 24 orëve dhe dokumentohet, si rezultat i aplikimit të metodave proaktive, ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Kamëz, ku një biznesi iu vendos lëndë plasëse.Identifikohen 4 autorët e dyshuar. Vihen në pranga 3 prej tyre, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i informacioneve të siguruara dhe aplikimit të metodave proaktive, zbardhën dhe dokumentuan ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz.
Në kuadër të operacionit “Motivi” u vunë në pranga për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, shtetasit:-J. L., 31 vjeç, F. D., 30 vjeç, F. M., 34 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. L., 31 vjeç, të katërt banues në Kamëz.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 000 euro, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, shtetasit S. S.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Pronari nuk pranoi t’u jepte 500 000 euro, ‘gjobëvënësit’ i hodhën tritolin tek restoranti në Kamëz! Në pranga 3 persona, 1 në kërkim
