Sot seanca paraprake për dosjen “Meta”, pretendimet e avokatëve. Çfarë pritet të ndodhë…

Këtë të martë, më 11 nëntor, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pritet të zhvillohet seanca paraprake për dosjen që përfshin ish-presidentin Ilir Meta, Monika Kryemadhin dhe tre persona të tjerë. Gjyqtarja Irena Gjoka do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim.
Kujtojmë se seanca e mëparshme u shty për shkak të mungesës së avokatit të Kryemadhit. Gjatë asaj seance, gjyqtarja vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Metën. Por avokati i ish-presidentit pretendoi që ata nuk ishin bërë shkak për shtyrjen dhe s’kishte arsye pse të pezulloheshin afatet për të.
Avokati i Metës ka deklaruar se gjyqtarja është nën presion nga prokurorët e SPAK dhe përmendi akuza të mëparshme të ngritura nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha për falsifikim dokumentesh në Greqi.
Ndërkohë po sot, Gjykata e Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka për të shqyrtuar edhe kërkesën e ish-presidentit Meta, i cili kërkon ndryshim të masës së sigurisë “arrest me burg”.
Sjellim ndërmend se dosja “Meta” përfshin hetime për ish-presidentin Meta, Monika Kryemadhin, nënën e saj Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun. Të pandehurit akuzohen për vepra të ndryshme penale, mes të cilave korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurive.
SPAK i ka përfunduar hetimet në fund të korrikut, ndërsa në gusht dosja u dërgua për gjykim. Vendimi i ardhshëm i gjykatës do të përcaktojë nëse çështja do të kalojë për gjykim të plotë apo do të kthehet për hetime të mëtejshme.