Çmimet e pronave mbeten të pandryshueshme, shkak bëhet numri i lartë i apartamenteve bosh

Çmimet e apartamenteve në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë, nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme në fillim të vitit 2025. Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë stabilitet është numri i lartë i banesave të pabanuara në vend, që sipas Censusit 2023 kanë arritur në 356 mijë – trefish më shumë se në vitin 2011. Aktualisht, rreth një në tre njësi banimi në Shqipëri rezulton bosh.
Agjentët imobiliarë paralajmërojnë se pritet një ndryshim në muajt në vijim, sidomos për shkak të miratimit të 180 lejeve të reja ndërtimi në zonën e Tiranës. Sipas indeksit Fischer të publikuar nga Banka e Shqipërisë, në dhjetë vitet e fundit çmimet e banesave në kryeqytet janë rritur me 40%. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2024, ato u rritën me 16.9% në nivel kombëtar, ndërsa Tirana shënoi një rritje rekord prej 25.3%.
Qendra e Tiranës mbetet zona më e shtrenjtë për blerje, me çmime që variojnë nga 2,500 deri në 5,000 euro për metër katror. Pas saj vijnë zona si Blloku dhe Liqeni i Farkës, ku çmimet fillojnë nga 4,000 euro për metër. Në anën tjetër të spektrit janë zonat më ekonomike, si Astiri (1,000–1,500 euro për m²), Paskuqani (850–1,200 euro) dhe Fresku (mbi 1,000 euro).
Sipas një agjente imobiliare, pjesa më e madhe e transaksioneve kryhen në këto zona më të përballueshme. Ajo vëren gjithashtu një rënie të blerësve që përdorin kredi bankare dhe një rritje të investimeve nga emigrantët shqiptarë, të cilët blejnë prona për qëllime investimi.
Ndërkohë, në Bashkimin Europian situata është më dinamike. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në tremujorin e katërt të vitit 2024 çmimet e banesave u rritën me 4.9% dhe qiratë me 3.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.