Kryeministri Rama: Universiteti Bujqësor drejt njehsimit të diplomave me Austrinë

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në konferenca ndërkombëtare “Mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë” organizuar nga Universiteti Bujqësor Tiranë (UBT) vlerësoi rolin e këtij institucioni në zhvillimin rural dhe transformimin e bujqësisë shqiptare përmes dijes dhe inovacionit.Në fjalën e tij, Kryeministri Rama u ndal tek sfidat e arsimit bujqësor dhe rëndësia e ruajtjes së standardeve akademike.“Rënia e numrit të studentëve ka qenë një shqetësim real. Rektori më ka kërkuar të mbështes idenë e uljes së mëtejshme të mesatares në këtë universitet, me qëllim që të tërhiqnim më shumë studentë në këtë territor. Por kjo do të komprometonte plotësisht cilësinë e burimeve njerëzore në një fushë kaq komplekse si zhvillimi rural.Unë i thashë rektorit të ndjekim të kundërtën: t’i japim universitetit markën e ekselencës dhe të frymëzojmë vajzat e djemtë që duan të ndërtojnë perspektivën e tyre përmes arsimit të lartë — përmes një mundësie të re për t’u pajisur me forcën e dijes, për t’u bërë të nevojshëm për vendin dhe konkurrues kudo që duan të provojnë veten.Kështu lindi ideja për të trokitur në dyert e Universitetit BOKU të Vjenës, në bashkëpunim me ministrin e asaj kohe. Ky bashkëpunim solli një rritje me 20% të numrit të studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, sepse hapi një perspektivë të re dhe krijoi premisa për të parë të ardhmen ndryshe në këtë fushë. Pavarësisht zhvillimeve teknologjike dhe profesioneve të reja të lakmuara, bujqësia dhe zhvillimi rural do të mbeten fusha jetike, dhe vlerësimi për ata që punojnë në to do të vijë gjithnjë në rritje, edhe në aspektin financiar.Çështja e sovranitetit ushqimor dhe garantimit të ushqimit në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe të kufizimit të burimeve natyrore, si për shembull uji, është pjesë e një tematike shumë më të gjerë, që e bën këtë fushë jetike dhe profesionistët e saj asete të vyera e të vlefshme në kohë.Fakti që sot Universiteti Bujqësor i Tiranës ka arritur të realizojë një reformë jo vetëm për vetë universitetin, por që hap një dritare të re për botën tonë universitare, është një arritje domethënëse.Do të sjellim njehsimin e diplomës me Universitetin BOKU të Vjenës, me synimin për ta bërë Universitetin Bujqësor të Tiranës një qendër rajonale, që të tërheqë studentë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vendet e rajonit”.Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla theksoi se Shqipëria është në rrugën historike drejt Bashkimit Europian dhe po trajtohen me prioritet çështjet e menaxhimit të tokës bujqësore, peshkimit dhe sigurisë ushqimore.“Kjo kërkon bashkëpunim mes Universitetit Bujqësor të Tiranës për dijen e tyre dhe fermerëve në terren.Kapitulli 11 përqendrohet në regjistrimin e parcelave bujqësore. Ky sistem do të forcojë transparencën dhe menaxhimin e tokës.Kapitulli 12 trajton çështjen e sigurisë ushqimore, ku do të ngrihet një sistem digjital kombëtar për inputet bujqësore, që do të bashkojë regjistrat e fermerëve, kompanive dhe analizave laboratorike, me qëllim rritjen e gjurmueshmërisë dhe kontrollit të cilësisë.Kapitulli 13 ka në fokus peshkimin, me qëllim ruajtjen e ekosistemit dhe përafrimin me rregullat e Bashkimit Europian. Po punojmë gjithashtu për rritjen e kapaciteteve njerëzore në këtë sektor.Sa i përket Urdhrit të Agronomit, kemi ndërmarrë një nismë për rregullimin dhe institucionalizimin e këtij profesioni, për të forcuar rolin e tij në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë”. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.