Ish-kryeministri Sali Berisha prej kohësh ka nisur një fushatë sulmesh kundër George Soros, duke e bërë përgjegjësin kryesor të vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për përfshirjen e tij dhe të familjes biologjike në listën e zezë për korrupsion të rëndësishëm, përdorimin e pushtetit për t’u pasuruar dhe pengim të drejtësisë. Berisha e akuzon Sorosin si armik të shqiptarëve dhe se ka kapur reformën në drejtësi në Shqipëri. Gazeta “SOT” ka nxjerrë së fundmi artikuj që vërtetojnë se Berisha po e përdor Sorosin si armik imagjinar dhe alibi për të zbutur pasojat e goditjes që ka marrë SPAK dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, relativizuar vulën që u vendosi DASH si familje e korruptuar dhe për të justifikuar vijimin e kontrollit të Partisë Demokratike.
Çfarë ka ndodhur
Fondacioni Soros për herë të parë në Shqipëri është regjistruar në vitin 1992 fill pas rënies së regjimit komunist. I pari i cili tentoi të lidhet me miliarderin, ishte Sali Berisha. Në vitin 1993, një vit pas ardhjes së parë në pushtet, me anë të një letër posaçërisht për Soros, atë kohë pak i njohur në Shqipëri, Berisha i drejtohej miliarderit si një mik personal madje duke e ftuar të vizitonte vendin. Falenderimi ishte për 120 ton letër që Soros kishte dërguar në ndihmë të ngritjes së shtypit shqiptar, që sipas Berishës, ishte dhe “çelësi” i fitores së PD në zgjedhjet e 22 marsit 1992. Berisha dhe Soros u takuan gjatë periudhës 1997-1998, kur doktori ishte President ose sapo kishte dalë në opozitë.
Kohët kaluan, dhe me riardhjen në pushtet të Berishës, ata sërish u takuan. Në Forumin e Davos në vitin 2008, Berisha si kryeministër udhëzoi zyrën e shtypit kryeministrore të nxjerrin foton e tij me Soros dhe dy rreshta për takimin. Në njoftimin e Kryeministrisë të janarit 2008, thuhet se: “Gjatë vizitës së tij në Davos të Zvicrës, Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një takim me mikun e madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve George Soros, një financier dhe filantropist i njohur botërisht. Gjatë bisedës me z. Soros, Kryeministri Berisha ka folur në lidhje me progresin e reformave në Shqipëri. Ai gjithashtu ka bërë një panoramë të arritjeve në fushat e arsimit, kulturës, shëndetësisë etj”.
Dhuratat që mori Soros nga Berisha në 2008
Pas këtij takimi, Soros nuk mori vetëm komplimente, mori edhe një sërë dhuratash konkrete nga Sali Berisha. Në vitin 2008, qeveria e Berishës i hapi rrugën hyrjes së rrjetit financiar të George Soros në tregun e shëndetësisë shqiptare, përmes blerjes së Spitalit Amerikan nga një kompani e lidhur drejtpërdrejt me të duke treguar se është një nga njerëzit që ka fuqizuar manjatin me investime dhe koncensione. Ky ishte momenti kur spitali më i madh privat në vend kaloi nën kontrollin e një strukture ndërkombëtare, duke vendosur themelet e një ndikimi që do të zgjaste për vite. Spitali Amerikan, i hapur fillimisht në vitin 2006 nga një grup investitorësh turq e cila ishte futur ne treg nëpërmjet njeriut më të afërt të Berishës, kaloi nën kontroll amerikan në vitin 2008.
Hulumtime tregojnë se blerësi i Spitalit Amerikan në 2008 ishte kompania BedminsterCapitalManagement LLC, e cila është në pronësi të George Soros. Kjo është konfirmuar si në dokumentet e regjistrit tregtar ashtu edhe nga vetë stafi drejtues i spitalit. Menjëherë pas kësaj blerjeje, Ronald O. Drake – Kryetar i Bordit të BedminsterCapital dhe njëherazi ish-drejtor i investimeve strategjike në Soros Fund Management – u emërua anëtar i bordit drejtues të Spitalit Amerikan. Kjo lëvizje faktikisht vulosi kontrollin e rrjetit Soros mbi spitalin (Bedminster dhe Soros Fund Management janë të dyja nën ombrellën e biznesit të Soros). Dokumenti i mëposhtëm tregon emërimin e Ronald O. Drake në bordin e Spitalit Amerikan në 2008, duke konfirmuar lidhjen direkte me strukturat investuese të Soros.
Blerja e Spitalit Amerikan nga Soros u mundësua nëpërmjet një skeme financimi interesant. Overseas Private Investment Corporation (OPIC) – agjenci qeveritare amerikane që jep kredi të buta për nxitjen e investimeve jashtë vendit – i akordoi kompanisë së Soros rreth 200 milion dollarë kredi të butë në vitin 2008. Nga këto fonde, 37.6 milion dollarë u përdorën për të blerë aksionet kontrolluese të Spitalit Amerikan. Me fjalë të tjera, Soros arriti të marrë në pronësi këtë aset strategjik në shëndetësi pa shpenzuar kapitalin e vet, por duke shfrytëzuar një financim me kushte lehtësuese nga qeveria e SHBA. Pas marrjes së Spitalit Amerikan nga duart e Soros, rrjeti spitalor u zgjerua ndjeshëm, deri në Kosovë dhe u bënë investime të mëdha në pajisje moderne. Spitali u konsolidua si ofruesi kryesor privat i shërbimeve mjekësore terciare në Shqipëri.
Nga Spitali tek Fondi “Besa”
E njëjta frymë “bashkëpunimi” mes Berishës dhe Sorosit u reflektua edhe në sektorin financiar. Në të njëjtin vit, 2008, Berisha i dha Sorosit mundësinë të shndërronte Fondacionin “Besa” – të themeluar prej tij vite më parë, në një shoqëri aksionare, duke e kthyer nga organizatë jofitimprurëse në një instrument të fuqishëm financiar. Kujtojmë se Fondacioni “Besa” u krijua në vitin 1998 nga George Soros, me qëllim dhënien e kredive të vogla për zhvillimin urban, dhe kishte filluar aktivitetin në maj 1999 me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 207, datë 28.04.1999. Qeveria shqiptare e asaj kohe i kishte transferuar 309,864,911.50 lekë (rreth 3 milionë dollarë) nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pra nga paratë publike, për ta kapitalizuar fondin e Sorosit. Në vitet në vijim, “Besa” mori edhe një kredi 7 milionë euro nga Agjencia Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar, gjithashtu përmes garancisë së qeverisë shqiptare.
Por piku erdhi në qershor 2008, kur Bordi i Fondit “Besa” dhe themeluesi OSF-A (Open Society Foundation Albania) vendosën që institucioni të transformohej në shoqëri aksionare – Fondi “Besa” sh.a.. Në këtë proces hyri në lojë edhe qeveria shqiptare, përmes ministrit të Financave të asaj kohe Ridvan Bode, i cili ra dakord që të gjitha detyrimet dhe të drejtat e Fondacionit “Besa” ndaj shtetit shqiptar të kalonin te Fondi “Besa” sh.a. Ky ishte një akt i paprecedent në historinë ekonomike të vendit, pasi për herë të parë një fondacion jofitimprurës kalonte pasuritë, të drejtat dhe borxhet e tij te një kompani private, duke u transformuar në një strukturë tërësisht tregtare. Borxhet dhe detyrimet e trashëguara nga Fondi “Besa” u shlyen me para të taksapaguesve shqiptarë, ndërsa fitimet kaluan në duart e rrjetit të Sorosit, që tashmë kishte konsoliduar në 2008 jo vetëm ndikimin e tij në sistemin shëndetësor me Spitalin Amerikan, por edhe në sistemin financiar me Fondi “Besa” sh.a.
Ndryshimet Kushtetuese në 2008 me bekimin e Soros
Ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, që shënuan bashkimin politik më të errët mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, nuk ishin thjesht një marrëveshje mes dy rivalëve të pushtetit. Ato u realizuan nën hijen dhe bekimin e Soros, që siç po e shohim dhe sot prej dekadash ka ushtruar dhe po ushtron ndikim të thellë në jetën politike dhe ekonomike të Shqipërisë. Në atë kohë, Soros ishte jo vetëm i pranishëm përmes Fondacionit të tij “Shoqëria e Hapur”, por edhe përmes investimeve të drejtpërdrejta që kishin marrë dritën jeshile nga vetë Berisha, ndërsa Rama ishte figura e preferuar dhe e sponsorizuar e rrjeteve progresiste që Fondacioni Soros mbështeste në Ballkan. Pra, në prapaskenën e asaj që u paraqit si një “pakt kombëtar për reformimin e sistemit politik”, qëndronte në fakt një bashkëkoordinim interesash ku të dy liderët, Berisha dhe Rama, gëzonin njësoj “bekimin” e Sorosit dhe strukturave të tij ndërkombëtare.
Mesnatën e 21 prillit 2008, Berisha kryeministër e kryetar i PD dhe Rama kryebashkiak i Tiranës e kryetar i PS, bënë një pazar privat për ndryshimin e Nenit 68 të Kushtetutës, duke krijuar sundimin personal në parti, parlament e qeveri. Berisha e Edi Rama, miq, ortakë e bashkëpunëtorë të hapur e të maskuar, në shumë fshehje, mbrojtje e amnisti krimesh dhe aferash korruptive të njëri-tjetrit, sajuan seancë të posaçme parlamentare, për të caktuar në Kushtetutë, që deputetët, nuk duhet t’i zgjedhë populli, por vetëm kryetarët e partive me listë dhe këtë krim anti-parlamentar, deputetë-lolot e PD-PS e votuan për 6 minuta. Bëhet fjalë, për Ligjin Nr. 9904, datë 21.04.2008, miratuar nga Bamir Topi, me Dekret Nr. 5700, datë 06.05.2008, me të cilin prej vitesh, deputetët nuk propozohen, nuk miratohen e nuk përzgjidhen nga populli, por nga Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Metaj, Monika Kryemadhi, dhe kryetarët e partive, që marrin pjesë në zgjedhje. Ky pazar anti-kushtetues i ka kthyer partitë, shtetin, qeverinë, presidencën e parlamentin, në “kulla” private e pazare hajdutësh dhe shpella krimi. E veçanta e pazarit Berisha-Rama, është hipokrizia e Edi Ramës ndaj krimeve monstruoze e ç’njerëzore të Sali Berishës, që provohet nga fakti, se Rama e ka pranuar, firmosur e votuar këtë ligj famëkeq, në datën 21 prill 2008, vetëm 36 ditë, pas tragjedisë së Gërdecit me 26 viktima, të vrarë në biznesin kriminal shtetëror të familjes “Berisha”.
Projekti i ri për 2026
Pas 17 vitesh nga pazari i errët i 2008-s, që u bë me bekimin e Sorosit dhe shkatërroi votën e lirë në Shqipëri, Edi Rama dhe Sali Berisha po rikthehen sërish në të njëjtën skenë, këtë herë me një projekt të ri kushtetues që synon të çimentojë pushtetin e tyre. Në thelb, “projekti për 2026” është kopja moderne e marrëveshjes së vjetër, e ridizenjuar në kushte të reja politike e diplomatike, ku të dy liderët ndihen të kërcënuar nga drejtësia dhe kërkojnë të shpëtojnë me anë të ndryshimeve kushtetuese. Sali Berisha, edhe pse i shpallur “non grata” dhe në proces gjyqësor nga SPAK, e ka pranuar publikisht se përfaqësuesit e tij janë duke negociuar me Partinë Socialiste për një reformë të re kushtetuese. Nga ana tjetër, Edi Rama e hodhi publikisht idenë më 10 shtator në Asamblenë e PS-së, duke shtruar bazën për një sistem të ri pushteti ku demokracia do të ekzistojë vetëm në letër. Në këtë skenar, Berisha dhe Rama jo vetëm që përsërisin historinë e 2008-s, por e thellojnë atë në një formë më të sofistikuar të kontrollit politik. Burime tregojnë se “projekti 2026” po shihet me simpati në disa qarqe të majta globaliste, të lidhura me fondacionet që dikur “bekuan” edhe marrëveshjen e parë mes dy liderëve.
Sali Berisha “ushtar” i Sorosit, ja pazaret e tij me manjatin, nga fondacioni “Besa”, Spitali Amerikan, te…
