Pas rrëzimit nga Apeli, Unioni Turistik padi në Gjykatën e Lartë për impiantet e ujërave të zeza

Unioni Turistik Shqiptar ka njoftuar se do t’i drejtohet me padi Gjykatës së Lartë, ku do të kërkojë pezullimin e zbatimit të udhëzimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, që u kërkon subjekteve të zonave bregdetare instalimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza.Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa tha se vendimi është marrë në mbledhjen e radhës së Strukturave Drejtuese të Unionit Turistik Shqiptar dhe se depozitimi i padisë në Gjykatën e Lartë, vjen pas vendimmarrjes së Apelit Administrativ për lënien në fuqi të udhëzimit.“U ra dakord që pas rrëzimit të padisë së bërë më parë në Gjykatën e Apelit Administrativ për instalimin e detyruar të impianteve të ujërave të zeza nga biznesi, çështja të ankimohet më tej në Gjykatën e Lartë”, nënvizoi ai.Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Apelit Administrativ rreth 1 muaj më parë ka vendosur lënien në fuqi të udhëzimit të ministrisë.Padia për shfuqizimin e udhëzimit “Për miratimin e rregullores teknike mbi standardet për trajtimin e ujërave të ndotura për subjektet që shkarkojnë ujëra të ndotura dhe të patrajtuara pranë ose në ujëra larës” u depozitua pranë Gjykatës së Apelit Administrativ nga Shoqata Rajonale e Turizmit Aulona (ARTA), shoqata e turizmit ATA dhe Unioni Turistik Shqiptar.Nëpërmjet padisë kërkuesit kërkuan shfuqizimin e nenit 6 të udhëzimit që përcakton se “Subjektet që ushtrojnë veprimtari ekzistuese, janë në proces ndërtimi ose kanë aplikuar për leje ndërtimi, në bazë të kapacitetit dhe zgjidhjeve teknike ekzistuese apo që janë planifikuar për t’u zbatuar, të lidhura ose jo me rrjetin publik te kanalizimeve, duhet të instalojnë impiante të trajtimit të ujërave të ndotura sipas përcaktimeve të kategorive shprehur në nenin 2, të Aktit Normativ nr.8, datë 28.12.2023”.Udhëzimi i përbashkët i ministrive të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Turizmit dhe Mjedisit hyri në fuqi më 2 shkurt 2024, pas publikimit në Fletoren Zyrtare më 5 janar 2024 të Aktit Normativ “Për marrjen e masave urgjente, për mbrojtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës, për trajtimin e ujërave të  ndotura që shkarkohen pranë ose në ujëra larëse”.Në udhëzim përcaktohen standardet teknike që duhen të ndiqen nga subjektet pranë zonave bregdetare, liqenore dhe lumenjve, për zëvendësimin e gropave skeptike me instalimin e impianteve bashkëkohore për trajtimin e ujërave të ndotura.Sipas udhëzimit të përbashkët bizneseve iu lihej afat deri në fund të muajit mars të instalojnë pajisjet apo sistemet e përcaktuara ose në të  kundërt, siç përcaktohet në Aktin Normativ  nëse Task-Forca, pas kryerjes së monitorimit dhe inspektimit, kur konstaton mosvendosjen e impiantit apo sistemit individual në përputhje me rregullat teknike për trajtimin e ujërave të ndotura, bizneset do të dënohen me gjoba që variojnë nga 1,500,000 lekë deri në 2,650,000 lekë.Pas hyrjes në fuqi të udhëzimit, vjet gjatë muajve të verës një task forcë e Agjencisë Kombëtare së Ujësjellës Kanalizimeve pas nismave sensibilizuese për instalim të impianteve nisi ndaj bizneseve edhe dënimet administrative me gjobë.Penalizmit ndaj strukturave që nuk rezultonin që kishin instaluar impiantet vijuan edhe përgjatë muajit nëntor 2024. Shumë biznese në këtë periudhë ngritën shqetësimin se janë gjobitur me gjoba me vlerë deri në 1,500,000 lekë për mungesën e instalimit të këtyre impianteve.Nga të dhënat të bëra publike në seancën e parë gjyqësore të Apelit Administrativ mësohet se 55 subjekte i ishin drejtuar shkallës së Parë së Gjykatës Administrative për pezullimin e gjobave.Unioni Turistik Shqiptar ka bërë me dije se pas përfundimit të çështjes në Gjyakatën e apelit, ndaj subjekteve që nuk kanë instaluar impiantet ka nisur sërish zbatimi i masave administrative. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.