Shfaqja “Zullulandia” punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës dhe e plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm

“Zullulandia” është një festë e madhe me nota satirike dhe një zgjim mbi realitetin ku po jetojmë. E punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës dhe e plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar. Shfaqja teatrore “Zullulandi” rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”  te “ArTurbina” në Tiranë në mbrëmjet e datave  30 dhe 31 tetor, si dhe 1 dhe 2 nëntor. Regjia dhe dramatizimi Endri Çela dhe në role në shfaqjen teatrore janë aktorët: Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili, Anxhelo Dauti.
Shfaqja vjen në skenë nga regjisori Endri Çela, i cili më parë ka treguar se qasja e tij me gjithë veprën e Faik Konicës ka qenë e hershme. Zullulandia, një vend në Afrikën e Lindjes, me popullin e saj të prapambetur e të nënshtruar, kërkon më shumë të drejta nga Europa. Prandaj dërgon në Paris dhe në Londër ambasadorin e saj, Denizullu-Serpen. Ky fodull dhe injorant vihet në lojë prej kancelarëve të huaj, ndërsa, kur kthehet në Zulluland, mirëpritet prej zulluve me festa e nderime për “lëvdatat” e marra. I vetmi që e ka kuptuar talljen është Plugu. Tani atij i duhet që t’i hapë sytë një populli të tërë zullush për talljet e Europës mbi Zullulandian. Shfaqja “Zullulandia” mbështetur mbi motivet e Faik Konicës që rikthehet në skenën teatrore është një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, që u shfaq premierë në maj këtë vit.