Fondet buxhetore për mbetjet në rritje, shërbimi në përkeqësim

Në vitin 2024, rreth 89% e popullsisë mori shërbime për menaxhimin e mbetjeve. sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ky tregues pësoi rënie me dy pikë përqindjeje, krahasuar me vitin 2023.Edhe pse shifra është dukshëm më e lartë se në vitin 2016, kur vetëm 69% e popullsisë mori këtë shërbim, përmirësimet nuk kanë ecuri në raport të drejtë me investimet e mëdha që janë kryer në këtë sektor gjatë dekadës së fundit.Rreth 14 miliardë lekë nga buxheti i shtetit janë derdhur për ndërtimin e tre incineratorëve në Tiranë, Fier dhe Elbasan, të cilët ishin parashikuar të modernizonin trajtimin e mbetjeve urbane dhe të zëvendësonin depozitimin në fusha të hapura. Por, ndonëse kompanitë koncesionare kanë marrë pagesat për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre, asnjë prej këtyre impianteve nuk funksionon aktualisht.Pavarësisht shpenzimeve të mëdha publike, mbulimi me shërbimet e grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve ka shënuar rënie. Bashkitë vazhdojnë të përballen me probleme në mbledhjen dhe transportin e mbetjeve, veçanërisht në zonat rurale, ndërsa qytetet e mëdha përballen me kosto të larta dhe mungesë transparence për menaxhimin e kontratave.Që Shqipëria të arrijë standardet europiane në menaxhimin e mbetjeve, duhet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën si i koncepton, financon dhe zbaton politikat në këtë sektor.Në Bashkimin Europian, mbi 45% e mbetjeve urbane riciklohen, ndërsa në Shqipëri kjo shifër është nën 20%. Shtetet europiane kanë reduktuar ndjeshëm varësinë nga landfilli dhe djegia, duke vendosur taksa të larta për depozitimin dhe duke stimuluar ndarjen e mbetjeve në burim.Shumë bashki ne vendin tonë nuk kanë kapacitete teknike, financiare apo njerëzore për të ofruar shërbime të qëndrueshme. Në BE, menaxhimi i mbetjeve është kompetencë lokale. Shqipëria tashmë ka krijuar një Agjenci Kombëtare për Menaxhimin e Mbetjeve.Aktualisht, Europa po kalon drejt digjitalizimit të sistemit të mbledhjes së mbetjeve: me sensorë që matin mbushjen e koshave dhe aplikacione që gjurmojnë rrjedhën e mbetjeve.Në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen modele rajonale të bashkëpunimit midis komunave, ku disa njësi vendore menaxhojnë bashkë qendrat e riciklimit ose landfill-et. Kjo praktikë është treguar e suksesshme për komunat me kapacitete financiare dhe teknike të kufizuara.Sfidat kryesore për Shqipërinë lidhen me mungesën e ndarjes së mbetjeve në burim, mbledhjen e paplotë të tyre në zonat rurale dhe menaxhimin e landfill-eve që shpesh nuk përmbushin standardet mjedisore. Edhe pse ekziston një strategji kombëtare për menaxhimin e integruar të mbetjeve, zbatimi praktik i saj është ende i kufizuar.Burimi: INSTATKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.