Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi sot drejtuesin e ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Kreshnik Bajraktarin, duke vlerësuar punën e deritanishme të institucionit dhe transformimin që ka pësuar ndër vite. Ajo shtoi se inovacioni u bë baza e çdo shërbimi publik në DPSHTRR, duke e kthyer institucionin në një shembull të suksesit për mënyrën si duhet të ofrohen shërbimet ndaj qytetarëve.
Ministrja kujtoi situatën e vështirë të viteve të para të reformës, veçanërisht në arkiva dhe zyrat rajonale.
“Në vitin 2020 vizitova arkivën e Fierit, ku tavani i katit të parë ishte i harkuar nga pesha e dokumenteve, dhe në Laç uji arrinte deri në një metër. Vendosëm të nisnim një proces të gjatë për të ndërtuar asetet e duhura logjistike dhe për të ruajtur dokumentacionin siç duhet,” theksoi ajo.
Balluku nënvizoi se falë reformës, DPSHTRR ka dyfishuar mbulimin territorial, me 17 zyra të reja shërbimi dhe dy poligone model në Vlorë dhe Fushë-Prezë.
Në krahasim me vitin 2018, janë ofruar 424 mijë shërbime më shumë, ndërsa numri total i shërbimeve është nëntëfishuar.
Reformat kanë sjellë edhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, 21 milionë kilometra të kursyera në udhëtime, 1.4 milionë litra karburant më pak të konsumuar, dhe 260 milionë lekë më pak shpenzime.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e reformës, sipas Ballukut, është siguria rrugore dhe riritestimi i drejtuesve që humbasin pikët e patentës.
“Kemi nisur një proces rigoroz për rikualifikimin e drejtuesve të mjeteve që humbasin pikët. Deri tani janë kryer 2,359 riregjistrime, dhe vetëm 13.4% kanë kaluar testin, duke garantuar që në rrugë të kthehen vetëm drejtues të disiplinuar,” tha ministrja.
Ajo shtoi se kontrolli teknik i automjeteve mbetet një tjetër komponent kyç i mirëmenaxhimit dhe sigurisë në qarkullim.
Balluku përfundoi duke theksuar se reforma në DPSHTRR është një nga më të thellat në sektorin e shërbimeve publike, dhe se qeveria do të vijojë të mbështesë këtë model suksesi në institucione të tjera të vendit.
Kreshnik Bajraktari në krye të DPSHTRR, Balluku: Drejtues mbështetës dhe me vizion
