Ja detajet nga dosja sekrete që trondit politikën, Idajet Beqiri tregon se SHBA ka dorëzuar në SPAK provat për…

Rigels Seliman
Avokati i njohur, Idajet Beqiri pas kallëzimit penal të dorëzuar në SPAK, ku ai akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha si frymëzues dhe organizator të grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998, ka zbuluar gjithashtu se materialet dhe provat e lidhura me terrorizmin ndërkombëtar, trafikun e armëve nga Gërdeci dhe kontaktet me figura si Bin Laden dhe Hamas janë dorëzuar nga SHBA në Prokurorinë e Posaçme. Ai nënvizon në një intervistë për gazetën “SOT” se SPAK ka tashmë materialet dhe provat, dhe që tani është koha që institucionet të hetojnë në mënyrë të plotë.
-Ju thoni se keni qenë dëshmitar okular dhe viktimë e krimeve të 14 shtatorit 1998 . A mund të na tregoni se çfarë ndodhi në zyrën e Kryetarit të Kuvendit dhe në Kryeministri atë ditë?
Grushti i shtetit i 14 shtatorit 1998, e cila është njolla më e zezë në trupin e shtetit shqiptar, por dhe të Shqipërisë. Dhe jo vetëm njolla më e zezë, por dhe që ka patur pasoja faktikisht, se ka ngelur atje edhe të vrarë, përveç dëmeve të jashtëzakonshme materiale që u bënë, dhe përveç edhe rënies së vetë shtetit. Pra, shteti ra dhe si rrjedhojë e mosdënimit të atij krimi kaq të rëndë. Ne kemi vazhduar dhe më pas, edhe sot e kësaj dite, flitet për mosbindje civile, flitet për përdorimin e çdo lloj mjeti për të marrë pushtetin me dhunë. I vihet zjarri Shqipërisë sa herë i mbushet mendja Sali Berishës me bandën e tij të armatosur e të tjera. Kështu që, në këtë aspekt, kur pashë që SPAK nuk u mor, edhe duhet të merrej kryesisht me këtë çështje, atëherë e përgatita këtë dosje dhe kallëzimin penal ia kam çuar SPAK.
Akuzohet në kallëzimin që kam bërë Sali Berisha si frymëzuesi, organizatori i këtij grushti shteti, edhe njeriu që ka urdhëruar që të bëhej ky grusht shteti. Dhe bashkëpunëtorët e tjerë të tij të afërt: disa janë të vdekur dhe nuk i kam përfshirë aty, se i vdekuri s’mban përgjegjësi penale tashmë.  Unë kam qenë dëshmitar okular, jo vetëm dëshmitar okular, por realisht edhe viktimë krimi. Sepse e kam shpjeguar: në kohën që u bë grushti i shtetit, ne kemi qenë shumë drejtues të forcave politike të asaj kohe, por edhe të qeverisë së kohës. Ishim në zyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, dhe mbasi banditët e Saliut, pra kjo bandë e armatosur, qëlloi, shënjestroi për të vrarë Skënder Gjinushin me antitank. Dhe predha e antitankut ra në tavolinën e tij. Por pak minuta më parë, u mbush zyra e tij me plumba të kallashnikovëve, sepse u thyen xhamat e zyrës së tij.
Sali Berisha me bandën e tij donte ta ekzekutonte Fatos Nanon. Për këtë vajtën atje në Kryeministri ata me arkivolin e Azem Hajdarit, dhe arkivolin e përplasnin te dera, se s’e hapnin dot. Dhe pastaj, meqë e hapën derën, arkivolin e lanë aty në tokë, edhe u futën në Kryeministri. Kanë vajtur e kanë mbushur tërë plumba zyrën e Fatos Nanos, por nuk e gjetën atë në zyrë, dhe qeverinë e tij. Për rrjedhojë, pastaj filluan të pushtonin me radhë të gjitha institucionet e tjera të shtetit dhe harruan arkivolin atje tek dera dhe kur erdhi puna, nuk e varrosën Azem Hajdarin, por e varrosi faktikisht komunalja.
Disa punonjës të komunales e çuan në varrezat e Sharrës. Por ky grusht shteti faktikisht ishte i paralajmëruar. Të mos harrojmë një gjë, sepse historia e ngjarjeve në këtë vend, posaçërisht 2 Prilli i Shkodrës i 1991 dhe në vazhdim, pastaj çfarë ka ndodhur më pas… Duhet t’ia vëmë emrin që meriton: ne nuk kemi patur këtu një qeveri shqiptare, ose qeverisje shqiptare, por realisht ishte një qeverisje kolaboracioniste që qendrën e kishte në Beograd dhe ne komandoheshim prej andej. Njëlloj kur erdhi Italia fashiste dhe më pas gjermanët që na pushtuan, edhe krijuan atë qeverinë kuislinge. Në fakt, qeveria e Berishës ishte kuislinge. Ajo urdhrat i merrte thjesht dhe vetëm nga Beogradi, edhe për këtë grusht shteti.
-Si i mori armët Sali Berisha për grushtin e shtetit dhe kush e ndihmoi atë për të armatosur Partinë Demokratike?
Armët kryesore i mori nga depot e armëve kur i shpërtheu në ’97. Por ai është ndihmuar vazhdimisht, sidomos në ’97, por edhe në grushtin e shtetit të ’98-ës, edhe më pas, madje, edhe tani në mitingjet e ndryshme që bëhen, kur shikoni që ka flakadanë edhe ka mjete piroteknike që hidhen e të tjera, të tëra ato përdoren edhe nga njerëz që ende janë këtu të Al Kaedës. Por tani ata jan martuar me vajza shqiptare, edhe ka mësuar dhe shqip. Por, sa herë i bie bilbilit Saliu, ata shkojnë faktikisht edhe veprojnë. Sikurse, një pjesë e mirë e armëve erdhi — jo pjesë e mirë e armëve, por një pjesë e mirë e të hollave — ai 73% i famshëm që i mblidhnin gjithë shqiptarët e Kosovës kudo në botë për çlirimin e Kosovës.
Një pjesë e tyre u përdor nga Saliu për të paguar pikërisht këta kriminelë nga Bujar Bukoshi. Problemi është një fakt i njohur ky, që Bin Laden ka qenë në Shqipëri, që Bin Laden kishte vetëm në Tiranë një numër të konsiderueshëm forcash të tilla që janë evidentuar edhe nga Shërbimi Informativ Kombëtar. Pra, mbi 300 e ca forca. Dihen dhe vendet ku stërviteshin: Në Tiranë, në Pogradec, në Korçë e të tjera. Pra, ato janë fakte të njohura. Dhe kur iu dha Sali Berishës shpallja “Non-Grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u morën parasysh edhe këto krime të rënda: bashkëpunimi dhe me Hamasin e të tjera. SPAK ka materiale që i kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ka kërkuar.
Nuk ka vajtur kot Dumani edhe prokurorë të tjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kanë vajtur edhe kanë marrë materiale të tilla. Edhe përveç të tjerave, është e lidhur edhe ajo e Gërdecit. Nuk ishte shpërthim i rastit ai. Para saj ishte trafiku i armëve. Pastaj filluan që të grabisnin atje dhe të bënin atë Çernobil, siç e bëri Berisha. Këtu problemi është tek ajo që SPAK faktikisht e ka të gatshëm tërë materialin. Ata duhet t’i hetojnë këto gjëra, duhet të hetojnë. Dhe ka ardhur koha që ne, si Shqipëri, si shqiptarë, dhe shteti në mënyrë të posaçme, duhet të fitojmë dinjitetin, duhet të fitojmë përgjegjshmërinë, edhe duhet të fitojmë ndjeshmërinë si qytetarë të Europës.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.