Rigels Seliman
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim dy çështje të rëndësishme që tronditin sistemin e drejtësisë dhe integritetin e zgjedhjeve në vend. Në rastin e parë, gjashtë persona, mes tyre ish-zyrtarë policie, akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe shpërdorim detyre, pasi kanë kërkuar deri në 7,500 euro për të ndikuar në vendime gjyqësore ndaj të arrestuarve. Hetimet zbuluan se grupi komunikonte përmes platformës së enkriptuar “Sky ECC”. Në rastin tjetër, SPAK ka çuar për gjykim Kalosh dhe Gazmend Peposhin, të akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje gjatë fushatës së 11 majit 2025 në Kukës. Dy të pandehurit dyshohet se shpërndanin para në këmbim të votave për Partinë Socialdemokrate. Hetimet u bazuan në përgjime dhe vëzhgime të drejtpërdrejta nga policia. SPAK falënderoi autoritetet franceze, holandeze dhe belge për bashkëpunimin në hetime, ndërsa theksoi se të gjithë të pandehurit prezumohen të pafajshëm deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.
Njoftimi i parë i SPAK
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (në vijim Prokuroria e Posaçme) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë kërkesën për gjykim të procedimit penal nr. 177/1 të vitit 2025, në ngarkim të shtetasve:
Musa Gjikola
Klodjan Muça
Sokol Masha
Erjon Dani
Emiljano (alias Millan) Roçi
Vilson Roçi
Të pandehurit akuzohen për konsumimin e elementëve të veprave penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 dhe neni 25 të Kodit Penal (sipas ndryshimeve të ligjit nr. 144/2013), si dhe për të pandehurin Erjon Dani, “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, me qëllim ndikimin në masa sigurimi personal dhe favorizim në dhënie dënimi ndaj disa të arrestuarve.
Gjithashtu, është provuar se i pandehuri Erjon Dani, në kohën e ngjarjeve me detyrë zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS. Hetimet kanë dokumentuar se të pandehurit kanë bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike ndërkombëtare.
Ky procedim penal është ndarë nga procedimi penal nr. 177 i vitit 2023, për të cilin vijojnë hetimet ndaj disa personave të tjerë nën hetim, të dyshuar për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “grupit të strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/a, 298, 333/a, 334/1 dhe 28/4 të Kodit Penal. Prokuroria e Posaçme shpreh falënderimet e saj për autoritetet franceze, holandeze dhe belge, si dhe për Eurojust dhe Europol, për bashkëpunimin dhe asistencën e dhënë gjatë këtij hetimi. Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë”, njoftoi dje SPAK gjatë një reagimi për mediat.
Njoftimi i dytë i SPAK
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe në datë 28.10.2025, ka dërguar për gjykim procedimin penal nr. 83 të vitit 2025, në ngarkim të dy të pandehurve: Kalosh Peposhi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal, i hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”; Gazmend Peposhi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal, i hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”, në mungesë. Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në ngarkim të shtetasve te mësipërm të dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.
Nga aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale të hetimit (përgjime të komunikimeve telefonike, vëzhgime dhe veprime të tjera hetimore), ka rezultuar se të pandehurit Gazmend Peposhi dhe Kalosh Peposhi janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në rrethin e Kukësit, gjatë zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë fushatës zgjedhore, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u kanë premtuar dhe dhënë shuma monetare zgjedhësve të Njësisë Administrative Ujmisht, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik “Partia Socialdemokrate e Shqipërisë”. Hetimi ka evidentuar se të pandehurit kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të këtij subjekti politik, duke ofruar dhe shpërndarë mjete monetare ndaj zgjedhësve për të ndikuar në mënyrën e votimit të tyre. Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë”, njoftoi dje SPAK gjatë një reagimi për mediat.
