Kremlini ka deklaruar se trupat ruse dëgjojnë vazhdimisht gjuhë të huaja të folura nga ata që luftojnë për Ukrainën në vijën e frontit dhe ka paralajmëruar se do t’i “shkatërrojë” ata.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i bëri këto komente në përgjigje të një pyetjeje lidhur me një raport të agjencisë së inteligjencës së jashtme ruse SVR, e cila thotë se Franca po përgatitet të dërgojë një kontingjent ushtarak prej 2 mijë ushtarësh dhe oficerësh në Ukrainë.
Siç shkruan SKY News, Peskov gjithashtu pretendoi se Rusia nuk mund të vlerësojë ecurinë e negociatave për paqe me Ukrainën, pasi Kievi i ka pezulluar ato dhe nuk është i gatshëm të përgjigjet ndaj pyetjeve të Moskës.
Vullnetarë të huaj kanë luftuar në të dyja anët e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas vlerësimeve të Ukrainës dhe Koresë së Jugut, më shumë se 10 mijë trupa koreano-veriore janë dërguar për të luftuar në anën ruse në këmbim të ndihmës ekonomike dhe teknologjisë ushtarake.
Agjencia e inteligjencës së Koresë së Jugut vlerësoi në shtator se rreth 2 mijë ushtarë koreano-veriorë janë vrarë.
Po ashtu, Sky News raporton se politikanët rusë kanë miratuar një projektligj që detyron thirrjen ushtarake gjatë gjithë vitit, jo vetëm në vjeshtë dhe pranverë, ndërsa forcat e armatosura synojnë të plotësojnë radhët e tyre.
Projektligji duhet tani të shqyrtohet nga dhoma e lartë dhe të nënshkruhet si ligj nga presidenti Vladimir Putin. Ky projektligj do t’i lejojë oficerët të thërrasin rekrutët për ekzaminime mjekësore dhe procedura të tjera në çdo kohë të vitit.
Autorët e ligjit thonë se masa synon të lehtësojë presionin mbi zyrat e thirrjes ushtarake dhe të rregullojë aktivitetet e tyre, që përfshijnë kryerjen e kontrolleve fizike dhe caktimin e rekrutëve në degë të ndryshme të ushtrisë. Ligji parashikon se rekrutët do të hyjnë në shërbim ushtarak vetëm gjatë disa muajve të pranverës dhe verës, ashtu si më parë.
“I dëgjojmë duke folur në front”, Kremlini kërcënon luftëtarët e huaj në Ukrainë
