Gjyqi në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, Rama: Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe për shqipsharësit digjitalë

Kreu i qeverisë, Edi Rama, përmes një reagimi në Facebook ka komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë.
Rama e cilësoi të padrejtë dhe të turpshëm faktin që “shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës” po përballen sot me drejtësinë ndërkombëtare, për të dëshmuar se “lufta për liri nuk është krim”.
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se historia do ta kujtojë Hashim Thaçin si njeriun që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, pavarësisht nga “tifozët e verbuar” që e sulmojnë edhe sot.

Rama: A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga shinat mbi të cilat u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!
Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, duke uruar të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovë.