Bonus rekord për pensionistët këtë fundvit, mbi 730 mijë përfitues, ja sa do të marrin dhe kush përfiton më shumë

Këtë fundvit, mbi 730 mijë pensionistë pritet të përfitojnë nga bonusi special që qeveria do të shpërndajë si mbështetje për shtresat në nevojë. Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi, gjatë një interviste për “Klan News”, shpjegon se fondi i planifikuar është më i lartë se një vit më parë dhe se bonusi do të jetë i diferencuar sipas nivelit të pensionit. Përfituesit kryesorë do të jenë ata me pensione më të ulëta, që do të marrin nga 10 deri në 20 mijë lekë shtesë. Sipas Kortoçit, ky është një hap i përkohshëm, por i domosdoshëm për të përballuar rritjen e kostove të jetesës. Megjithatë, ekspertja thekson se rritja e qëndrueshme e pensioneve mbetet sfida kryesore për vitet në vijim.
-Zonja Kortoçi, pikë së pari, sa mendohet se është numri i pensionistëve që do të përfitojnë, por gjithashtu edhe shifra e vënë në dispozicion?
Nëse ne flasim për numrin, nënkuptohet që të gjithë individët të cilët përfitojnë një pension nga skema e sigurimeve shoqërore. Kjo do të thotë që në këtë rast janë individë të cilët përfitojnë një pension pleqërie, edhe ata që kanë një pension familjar. Ky numër shkon mbi 730.000 pensionistë, pra individë të cilët përfitojnë një pension nga skema e sigurimeve. Pasi jo të gjithë janë individë që përfitojnë një pension pleqërie; kemi individë që përfitojnë pension invaliditeti, pension familjar dhe kategori të tjera trajtimi që mund të jenë në pension, si individët ushtarakë. Të gjithë individët në këtë rast, ku përfshihen dhe individët që kanë pensionin suplementar, janë përfitues të një të ardhure nga skema e sigurimeve shoqërore dhe ata që klasifikohen te grupi i pensionistëve do të përfitojnë pikërisht bonusin. Nga ana e qeverisë nuk është përcaktuar ende se si do të bëhet ndarja, por kemi vetëm një rishikim të buxhetit në këtë rast, i cili e ka rritur në mënyrë të ndjeshme vlerën që do të përdoret për shpërndarjen në fundvit. Kjo jep mundësi që të mos ketë më një bonus siç ka qenë periudha më parë. Pra, 2024-a bën një kthesë duke dhënë një bonus të diferencuar mes atyre që janë pensionistë me një të ardhur mujore pensioni mbi 20.000 lekë të reja (ose mbi 200€) dhe ata që janë nën këtë vlerë. Besoj që ky ndryshim, që është themeltar në buxhet që të realizohet për fundvit, do të vijojë të jetë në të njëjtën linjë.
-E qartë sa i përket kësaj pjese. Megjithatë, duke qenë se ju e shprehët, e thatë që ende nuk është vendosur mënyra se si do të shpërndahet, marr shkas edhe nga vitet e shkuara: kryesisht në çfarë kriteri është bazuar shpërndarja në këto dy herët e fundit?
Nëse referohemi bonusit të fundvitit të 2024-ës dhe bonusit të pranverës së 2025-s, ka pasur tavan dhe dysheme njëkohësisht. Grupi i parë (tavani) është vlera e 20.000 lekë, dhe grupi i dytë (dyshemeja) është vlera 20.000 lekë e sipër. Kjo ka bërë të mundur diferencimin e qytetarëve të cilët marrin një pension minimal në një vlerë shumë të ulët, me ata qytetarë që marrin një pension mesatar ose më të lartë. Kjo lloj ndarje, nëse i referohemi 2024-s, ka përfshirë rreth 500.000 qytetarë të cilët kanë pasur një vlerë minimumi pensioni prej 20.000 lekë. Kjo realisht është një vlerë shumë e ulët dhe numri që përfitojnë është shumë i lartë. Mund të ketë një ndryshim në këtë vit në këtë numër për faktin se kemi pasur një indeksim, i cili mund të bëjë ndryshimin, edhe pse mund të jetë një vlerë shumë e vogël. Për shembull, nëse flasim për një pension 20.000 lekë dhe norma e rritjes ose indeksimit të pensionit, e cila ka hyrë në fuqi nga 1 tetori, ka qenë 2.5%, do të thotë që për çdo qytetar me një pension 20.000 lekë ka pasur një rritje në vlerën 500 lekë. Nëse një qytetar vitin e vjetshëm ka pasur një pension 19.500 lekë, ky pension tashmë e tejkalon vlerën. Ndaj, do të kemi një ndryshim të numrit. Ne presim që nga ana e Ministrisë së Ekonomisë ta kemi këtë vlerë, sepse është institucioni lider në këtë fushë, ndërkohë që Instituti i Sigurimeve është nënvarësi i tij. Megjithatë, gjykoj që do të vijojmë të jemi me të njëjtat kritere shpërndarje, që do të jetë vlera e 20.000 lekë plus ose minus.
-Por megjithatë, krahasuar me herët e tjera, shifra për këtë bonus fundviti është më e lartë?
Është më e lartë në këtë rast. Presim të ruhet e njëjta skemë shpërndarje, por duke qenë se mund të kemi ndryshueshmëri, sepse kemi pensione të reja që kanë hyrë në skemë, unë gjykoj që do të vijojmë të jemi në të njëjtin nivel shifre. Ndryshimi do të jetë në numrin e pensionistëve, por jo në ndryshimin e vlerës. Nuk gjykoj se do të ketë një bonus më të lartë se 20.000 lekë (sesa është pensioni minimal), ose ndoshta edhe 15.000 mund të jetë tavani i vlerës që mund të shpërndahet. Nuk gjykoj që do të kemi një bonus pensioni nën një vlerë prej 10.000 lekë. Gjykoj që nga 10.000 deri në 20.000 lekë do të jetë bonusi i përcaktuar për këtë fundvit, duke marrë në konsideratë edhe rishikimin e vlerës së lartë që ka pasur buxheti i shtetit.
–Që do të thotë që ata që duket se do të përfitojnë më shumë në këtë rast janë individët që kanë pension më të ulët, apo jo?
Besoj se po. Nëse vijon të ruhet ky kriter, qëllimi i bonusit është për të ndihmuar, pavarësisht se kjo ndihmesë është në mënyrë të kufizuar, sepse është vetëm për një herë ose dy herë në vit (siç ka qenë në 2025). Qëllimi është për të ndihmuar ata individë të cilët kanë të ardhura më të ulëta. Duke qenë se ne në Shqipëri kemi një politikë indeksimi të njëjtë për të gjithë kategoritë e pensioneve, gjykoj që është një politikë e drejtë. Qëllimi i indeksimit është që të ruhet e njëjta fuqi blerëse/vlerësuese e pensionit që pensionisti ka marrë që në momentin e daljes. Indeksimi me përqindje të njëjtë pikërisht ruan këtë drejtësi, që të dy kategoritë ruajnë të njëjtën fuqi blerëse/vlerësuese. Nëse do të kemi një indeksim të pjesshëm, do të thotë që ke shkelur parimin e ruajtjes së fuqisë blerëse, sepse ai që do të jetë pensionist me të ardhura më të larta, do ta ulë fuqinë blerëse. Për këtë arsye, gjykojmë që ruajtja e të njëjtës rregull ose të njëjtës kriter të dhënies së bonusit, ku vlera e 20.000 lekë do të bëjë ndarjen, do të jetë edhe për këtë fundvit.
-E qartë. Cilat gjykoni se janë avantazhet dhe disavantazhet e një skeme të diferencuar si kjo, në gjykimin tuaj si specialiste?
Së pari, bonusi nuk është një detyrim ligjor. Qeveria nuk e ka detyrim ligjor që bonusin ajo duhet ta japë dhe në çfarë vlere duhet ta japë. Detyrimin ligjor qeveria e ka të bëjë indeksimin e pensioneve në një përqindje të barabartë, që do të jetë e barabartë me përqindjen e normës së inflacionit. Nuk është një përqindje që vendoset apriori, por merret për bazë norma e inflacionit. Për 2025-n, indeksimi ka qenë në vlerën 2.5%, ku norma bazë e inflacionit ka qenë 2.4%. Indeksimi i pensioneve prezumohet se do të bëhet në varësi të normës bazë të produkteve të shportës. Megjithatë, shohim që ky indeksim nuk është i mjaftueshëm për të përballuar kostot e jetesës, në varësi të të ardhurave që kanë qytetarët. Kemi rreth 500.000 qytetarë të cilët përfitojnë një pension në një vlerë prej 20.000 lekë, kështu që është një vlerë e pamjaftueshme. Mjafton të sjellim rastin e pensioneve familjare, që në zonat rurale është edhe në vlerën 2.000 lekë të reja (ose 20.000 lekë të vjetra) në muaj. Pensioni familjar që përfiton një fëmijë që nuk ka prindin është realisht jashtëzakonisht i ulët, pasi me 20€ në muaj nuk mund të kalohet as java. Së dyti, kur ka çifte pensionistë që e kanë një vlerë pensioni nën 30.000 LEKË të reja (ose nën 300 euro) në muaj, është shumë e vështirë që ata të përballojnë kostot e jetesës, sidomos në qytetet si Tirana dhe Durrësi. Respektimi i standardit për të ruajtur fuqinë vlerësuese, kur është përqindje e njëjtë në varësi të normës së inflacionit dhe rritjes së shportës, është i drejtë, por është i pamjaftueshëm për shkak të pensioneve të ulëta.
-Në gjykimin tuaj, sa të rëndësishme janë këto shpërblime për pensionistët ose individët që kanë pension të ulët, krahasuar me një ngritje të përhershme të pensioneve?
Ngritja e përhershme e pensioneve realisht është një çështje e cila trajtohet prej vitesh, por nuk është zhvilluar asnjëherë në Shqipëri. Kemi gati 32 vite që s’ka hyrë në fuqi skema e re e pensioneve. Me fillimin e skemës kontributive nga 1 tetori i vitit 1993, nuk ka pasur asnjëherë një rritje të pensioneve në Shqipëri. Ne kemi pasur pensione të ulëta që në ditën e parë që këto pensione u realizuan në këtë skemë të re dhe vijojmë ta kemi, pasi asnjëherë nuk janë parë pensionet si një çështje se si mund t’i rrisim ose si mund të shtojmë vlerën e tyre. Hera e parë që kemi pasur një rritje ose një indeksim të pensionit, duke filluar nga 2010, masa ka qenë 4% për tre vite me radhë. Më pas është bërë indeksimi i lidhur me normën e inflacionit. Duke vijuar të kemi pensione të ulëta, është shumë e vështirë që në një moment të vetëm të ketë një rritje pensioni në një vlerë, për shembull, që pensioni minimal të jetë 200€. Kemi rreth 500.000 pensionistë që marrin një pension nën 20.000 lekë. Nëse kjo rritje do të bëhej e menjëhershme, do të kërkonte një mbështetje shumë të madhe financiare. Kjo mbështetje do të duhej të bëhej nga buxheti i shtetit, sepse buxheti i Institutit të Sigurimeve nuk e mbulon dot. Nëse rritet në mënyrë shumë të fortë ky zë, shpenzimet publike do të zvogëlohen diku në një vend tjetër. Ndaj, në pamundësinë e rritjes reale të pensioneve, qeveria ka zgjedhur politikën e bonusit. Ajo do ta ofrojë një bonus vjetor, por mund të ofrojë edhe një bonus të dytë vjetor, siç ka ndodhur në pranverë (2024, dhe në 2022-n), në mënyrë që ta mbështesë këtë shtresë, edhe pse në mënyrë të përkohshme. Duke iu referuar deklaratave publike të drejtuesve, nuk është folur për rritje, por gjithmonë për mbështetje përmes politikës së bonuseve. Gjykoj që, të paktën në këtë katërvjeçar të ardhshëm, qeveria aktuale do të vijojë ta ketë politikën e bonusit. Politika e rritjes mund të ketë një rritje graduale, ndoshta pas një viti, por jo tani sepse nuk jemi në plan. Kjo është politika publike e zgjedhur nga qeveria për të mbështetur pensionistët, edhe pse është një mbështetje e përkohshme dhe jo e mjaftueshme, duke qenë se qytetarët kanë nevojë në mënyrë të përditshme dhe të përmuajshme, dhe jo një ose dy herë në vit.