Një kontroll i befasishëm në Burgun e Durrësit ka ndezur dyshime për një operacion me prapavijë politike, që synon të ushtrojë presion ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Burime konfidenciale bëjnë me dije se aksioni, i cili në pamje të parë u paraqit si një inspektim rutinë, është urdhëruar në mënyrë direkte nga lart, me qëllim që Veliaj të heshtë dhe të mos flasë për lidhjet e pushtetit me hetimet në zhvillim. Sipas informacioneve të siguruara nga gazeta, fundjavën që lamë pas, forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ndërmorën një kontroll të menjëhershëm në ambientet e Burgut të Durrësit. Operacioni përfundoi me sekuestrimin e pesë telefonave të tipit iPhone, të gjetur të fshehur në dyert e dusheve të Godinës “A”, kati i tretë, Sektori 1, një hapësirë e përbashkët për disa të dënuar, mes të cilëve ndodhet edhe vetë Veliaj. Pajisjet u sekuestruan si prova materiale. Megjithatë, mënyra si u zhvillua operacioni dhe fakti që u krye pikërisht në sektorin ku mbahet Veliaj, ka ngritur pikëpyetje serioze për qëllimin e vërtetë të këtij “kontrolli të befasishëm”.
Dyshimet për urdhër politik nga lart
Burime pohojnë se urdhri për kontrollin nuk ka qenë pjesë e ndonjë plani të rregullt inspektimi. Përkundrazi, ai është dhënë me nxitim nga ministri Besfort Lamallari, pas një komunikimi të drejtpërdrejtë me zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Sipas burimeve, Balluku ka kërkuar që Veliaj të ndjejë presion, në një kohë kur brenda kampit socialist janë shtuar dyshimet se kryebashkiaku ka ndarë informacione të ndjeshme me Gazment Bardhin dhe rrethin e tij politik. Në thelb, kontrolli në burg shihet si një sinjal politik, një mënyrë për t’i kujtuar Veliajt se çdo lëvizje, çdo kontakt apo komunikim jashtë mureve të burgut është nën vëzhgim. Mesazhi është i qartë: të mos flasë dhe të mos trazojë më shumë ujërat brenda Partisë Socialiste. Nuk është hera e parë që drejtësia penale përdoret si mjet presioni në përplasjet e brendshme politike. Por kjo ngjarje i jep një dimension të ri luftës për pushtet në kupolën e PS-së, në një moment ku tensionet mes Edi Ramës dhe Belinda Ballukut janë në pikën më të lartë.
Veliaj-Balluku
Sot Erion Veliaj është në burg prej më shumë se 8 muajsh, pasi SPAK zbardhi skemën se si ai dhe familjarët e tij kishin përfituar nga paratë e taksapaguesve të kryeqytetit. Por, përpara se të burgosej, ai pa vartësit e tij më të besuar të shkoni njëri pas tjetrit në qeli. Inceneratori i Tiranës dhe “5D” janë dy dosje nga të cilat kanë përfunduar prapa hekurave disa prej ish-drejtorëve të Veliajt. Ndërkohë, rruga drejt përballjes me drejtësinë duket se është e njëjtë edhe për Belinda Ballukun. Ashtu si Veliaj, edhe Balluku po shikon vartësit e sa të bien një nga një në “gojën” e drejtësisë, duke u përballur me akuza për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Evis Berberi, ish-drejtor i Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) është arrestuar me urdhër të Prokuroria e Posaçme SPAK për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ndërkohë që janë marrë të pandehur Gentian Gjyli – Drejtor në ARRSH, i marrë i pandehur për abuzime me tendera rrugësh dhe Erald Elezi, ish-administrator i Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) që është marrë i pandehur për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Ndërsa nën hetim janë Ceno Klosi, një nga njerëzit më të besuar të Ballukut, i cili tashmë është deputet, dhe Ergys Verdho. Belinda brenda kësaj jave do të paraqitet para SPAK me avokat, ku me shumë mundësi do t’i komunikohet akuza për shkelje të barazisë në tendera.
Kontroll i befasishëm në Burgun e Durrësit për t’i qepur gojën Erion Veliajt, Lamallari mori urdhër nga Balluku për…
