Kreu i SPAK: Për ne, Ahmetaj në kërkim ndërkombëtar. Nëse do të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë…

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend, më 27 tetor, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me hetimet për inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.
Ai u pyet se përse nuk i është marrë ende një dëshmi ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetajt, në arrati. Duke u ndalur tek kjo pyetje, Dumani tha se Ahmetaj mbetet person në kërkim ndërkombëtar, por megjithatë shtoi se “kushdo që dëshiron të marrë statusin e të penduarit dhe të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është i mirëpritur”.
“SPAK ka hetuar, në kuadër të këtyre hetimeve, 71 persona të të gjitha niveleve; disa janë në vendime të formës penale të prerë, disa janë në proces hetimi. Lidhur me pyetjen që bëhet për ta trajtuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në lidhje me inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit, këto dy procedime penale i kanë kaluar të gjitha fazat e hetimit gjyqësor dhe i kanë gjetur të drejtë kualifikimin ligjor të bërë nga ana e Prokurorisë së Posaçme. Lidhur me pyetjen pse nuk e kam marrë ende z.Veliaj të pandehur, ju kujtoj se hetimet paraprake nuk kanë përfunduar, por vazhdojnë akoma. Lidhur me pyetjen për ish-ministrin Arben Ahmetaj, deklarimet publike të tij vlerësohen rast pas rasti. Për ne ai është një person në kërkim ndërkombëtar në lidhje me inceneratorët. Në rast se një person dëshiron të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është mëse i mirëpritur”, tha Dumani.