Deputeti i PL-së, Tedi Blushi, gjatë fjalës së tij në Kuvend ka dalë në mbrojtje të të paraburgosurve, duke sulmuar Prokurorinë e Përgjithshme për të cilën u shpreh se ka dështuar dhe duke shtuar se drejtësia është kthyer në “vegël politike”.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur kreu i partisë së tij, Ilir Meta, ndodhet pas hekurave, nën hetim nga SPAK.
“Raporti i fundit i Prokurorisë së Përgjithshme, nuk është vetëm një dokument me statistika, por një raport i ndërtuar mbi jetë njerëzish, dramsh dhe tragjedi familjare dhe shoqërore. Cdo numër në atë raport është një nënë që pret djalin e saj pas hekurave.
Sot 2/3 e të arrestuarve që ndodhen në burgje, janë të paraburgosur dhe 1/3 pa akuza. U është privuar liria jo se kanë shkelur ligjin, por se Prokuroria e Përgjithshme ka dështuar dhe ka përmbushur vullnetin e Edi Ramës, burg, burg, burg..
A i heton prokuroria se kush po i mbush çantat e fëmijëve me drogë edhe thika apo se kush po i vret në oborret e shkollave. Në shkollat e Shqipërisë, gjen më shumë armë dhe drogë, sesa libra Kush heton për këtë fakt? Kur drejtësia kthehet në vegël politike, ajo nuk është gje tjetër, veçse një armike e interesit publik. Drejtësia ose është për të gjithë, ose mos të jetë fare”, tha Blushi.
Meta në burg, Blushi “shigjeton” drejtësinë: Prokuroria ka dështuar, 2/3 e të arrestuarve janë të paraburgosur
