Teatri Kombëtar sjell premierën teatrore “Si ta doni”, një komedi romantike e Shekspirit me regji nga John Blondell

Nga Julia Vrapi
Teatri Kombëtar sjell këtë tetor në skenë komedinë e Shekspirit “Si ta doni”. Një komedi romantike  me regji nga John Blondell, që në mbrëmjet e fundit të tetorit do të jetë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar. Vepra teatrore është pjesë e sezonit të ri artistik 2025-2026, ku gjatë tij të tjera vepra të Shekspirit do të jenë në skenë për publikun. John Blondell është regjisor, drejtor artistik dhe profesor me karrierë ndërkombëtare. Themelues i Lit Moon Theatre Company në Santa Barbara (SHBA) dhe Verona Shakespeare Fringe Festival në Itali, ai ka drejtuar mbi 110 produksione në SHBA, Evropë dhe Azi. Në skenën tonë teatrore edhe më parë kanë qenë vepra të Shekspirit me regji prej Blondell, por këtë sezon artistik në Teatrin Kombëtar te “ArTurbina” në datat 30, 31 tetor dhe 1, 2 nëntor do të jetë komedia “Si ta doni” e Shekspirit. “Si ta doni”, në origjinal “As you like it”, është një komedi nga William Shakespeare që besohet se është shkruar në vitin 1599.  Vepra në shqip është përkthyer  nga Skënder Luarasit. Teatri Kombëtar që po vijon aktivitetin artistik me shfaqje në skenë, thotë se kjo vepër është premierë absolute. “Ejani të dëgjoni Shakespeare në shqipen e Skënder Luarasit, aty ku gjuha jonë bëhet art, tingull dhe pasuri kombëtare në skenën e Teatrit Kombëtar. “Si ta doni”, William Shakespeare, premierë absolute”, shprehet teatri. Komedia që do të jetë pjesë e sezonit artistik do të ketë në role aktorët Luli Bitiri, Genti Deçka, Elia Zaharia, Dritan Boriçi, Lulzim Zeqja, Donald Shehu, Florian Agalliu, Ilirda Bejleri, Erjona Kakeli, Laert Vasili, Ina Gjonçi, Flaura Kureta, Besmir Bitraku, Krist Lleshi dhe Enes Ajazi. Skenograf e kostumograf Blagoj Micevski, kompozitor Endri Sina.
 Vepra të Shekspirit në teatër
Komedia romantike  “Si ta doni” është e para vepër e Shekspirit këtë sezon të ri artistik në skenën e Teatrit Kombëtar. Më parë Teatri Kombëtar në muajin mars këtë vit hapi thirrjet për projekte artistike të bazuara në veprat e William Shakespeare. Teatri Kombëtar ftonte të gjithë krijuesit, regjisorët dhe artistët të paraqesnin propozimet e tyre, ndërsa bënte me dije edhe kriteret për aplikim. Përzgjedhja e projekteve artistike sipas teatrit do të kalonte në dy faza. Përveç të tjerash, në këtë thirrje që bëri Teatri Kombëtar për projektet bazuar në veprat e Shekspirit, aplikantët duhet të dorëzonin një përmbledhje të qartë të veprës teatrore që mendonin të realizonin. Një pikë me rëndësi sipas Teatrit Kombëtar ishte edhe platforma regjisoriale për këto projekte. Teatri Kombëtar sezonin artistik janar-qershor 2025 e mbylli me 20.236 spektatorë, ndërsa tani sezoni i ri artistik do të vijojë me të tjera premierë në skenë, mes tyre dhe vepra nga Shekspiri. William Shakespeare (23 prill 1564 – 23 prill 1616) është ndër dramaturgët më të mëdhenj të të gjithë kohërave, poet dhe tregimtar i shquar i cili e zhvilloi aktivitetin e tij letrar gjatë shekullit të XVI në Britani. “Ëndrra e një nate vere”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Shumë zhurmë për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” janë vetëm disa prej veprave të tij.