PD dhe PS miratojnë ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe “Territorialen”

Gjatë seancës plenare të kësaj të hënë, mazhoranca dhe opozita miratuan me 113 vota pro projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe me 115 vota pro projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.
Për ngritjen e këtyre dy komisioneve votuan kundër 3 deputetë.
Komisioni i  Posaçëm i Reformës Zgjedhore do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë dhe me numër të barabartë anëtarësh.

Projektvendimi sqaron se vendimet e Komisionit të Reformës Zgjedhore do të miratohen me shumicën e votave të anëtarëve dhe konsensusin e bashkëkryetarëve.
Pjesë e tryezës së diskutimeve do të jenë plot 16 anëtarë, nga të cilët 7 do t’i përkasin Partisë Socialiste dhe 7 Grupit parlamentar të Partisë Demokratike. 2 anëtarë do të jenë nga partitë të cilat në zgjedhjet e 11 majit kanë fituar të paktën dy mandate, përkatësisht Partia Socialdemokrate dhe Partia Mundësia.
Megjithatë, ndonëse pa të drejtë vote, Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet do të mund të marrin pjesë në komision dhe do të mund të japin propozimet e tyre.
Ndryshe do të jetë përbërja në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale, përbërja e së cilit do të jëtë me 16 anëtarë por me ndarje ndryshe.
Partia Socialiste do të përbëhet nga 8 deputetë dhe 6 përfaqësues do të ketë Partia Demokratike.
Ndryshe nga zgjedhorja 1 përfaqësues do të jetë i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë.
Dhe drejtimi do të jetë ndryshe, ku Kryetari i Komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare./vizionplus.tv