Kur shpërndahet bonusi i pensioneve dhe pse do të jenë dy raunde, ekspertja zbulon detajet e fundit, sa para do…

Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, ka zbuluar se këtë fundvit pensionistët do të përfitojnë sërish dy raunde bonusesh, një praktikë që po përsëritet për të dytin vit radhazi. Sipas saj, vendimi është marrë pas krijimit të një sufiçiti buxhetor, që qeveria ka vendosur ta rialokojë drejt shtresave më në nevojë. Bonuset do të jenë të shtresëzuara, duke favorizuar ata pensionistë që marrin pension minimal ose të pjesshëm. Edhe pse shuma përfundimtare ende nuk është përcaktuar, Radonshiqi theksoi gjatë një interviste për “Top News”, se vlerat pritet të jenë të ngjashme me vitin e kaluar, pra mes 10.000 dhe 15.000 lekëve, në varësi të nivelit të pensionit. Ekspertja shtoi se ky dyfishim i bonusit lidhet edhe me rritjen e numrit të pensionistëve me të ardhura të ulëta për shkak të punësimit informal në të kaluarën. Megjithatë, ajo paralajmëroi se bonuset nuk mund të jenë zgjidhje afatgjatë, pasi skema aktuale e pensioneve është në deficit. Për Radonshiqin, qeveria duhet të fokusohet në rritjen e punësimit formal dhe uljen e emigracionit të të rinjve, në mënyrë që pensionet e ardhshme të jenë më të qëndrueshme dhe dinjitoze.
-Po e nis diskutimin nga një rritje e buxhetit për bonusin e fundvitit për pensionistët. Kemi parë që prej fushatës së shkuar marrja e dy bonuseve të ndara përgjatë vitit. Çfarë do të presin pensionistët fundvit?
Ishte e pritshme, pasi dhe ekspertët ekonomistë e kanë parashikuar që në indeksimin e 1 tetorit Një pjesë e mirë e ekspertëve të ekonomisë, sidomos ato që merren me çështjet e pensioneve, kanë hedhur hipotezën që ndoshta do të kemi një bonus njësoj si i vitit të kaluar. Kjo pasi ka një efekt më të madh psikologjik. Në fakt, rezultoi e vërtetë, pasi nëse ne e shohim, kemi një sufiçit të buxhetit dhe, do të doja të thoja, jo për herë të parë, sepse është radha e dytë, viti i dytë i cili shteti po i kushton shumë rëndësi mbrojtjes sociale. Kjo është normale, pasi vendi ynë gjithmonë ka qenë ndër të fundit vende të Europës dhe të BLekëkanit Perëndimor që i kushtonin rëndësi mbrojtjes sociale. Ato grupe vulnerabël, të cilët ishin në nevojë, nuk gjenin përkrahje dhe mbulim social të mjaftueshëm. Ndërkohë, ky është viti i dytë radhazi që qeveria, pasi del në sufiçit, do t’i rialokojë burimet, të ardhurat, aty tek ato shtresa, së pari tek ato shtresa që janë në nevojë. Normalisht, shtresat në nevojë janë pensionistët dhe të gjitha ato kategoritë e personave që kanë përfituar dhe vitin e kaluar. Marr mendjen që do të jenë përsëri në të njëjtën skemë. Përsëri shohim dhe këtu një bonus të shtresëzuar, që do të thotë që i kushtohet më shumë rëndësi atyre individëve, atyre pensionistëve të cilët marrin një pension të pjesshëm apo një pension minimal. Kjo është një gjë e mirë. Edhe pse ata që na dëgjojnë, që marrin një pension mbi mesataren apo mesatare, ndoshta ndjehen deri diku të diskriminuar dhe thonë: “Edhe ne kemi kontribuar po në të njëjtën mënyrë, e pse ne duhet të marrim një bonus disi më të ulët?”. Por mendoj që, duke qenë se niveli i varfërisë tek ato pensionistë që marrin pension minimal dhe të pjesshëm është shumë herë më i lartë, çdo gjë mund të justifikojë faktin që bonuset po shpërndahen në dy fasha. Nëse i referohemi vitit të kaluar, ata të cilët kanë përfituar rreth 15.000 LEKË kanë qenë pikërisht ato individë të cilët kishin një nivel pensioni më të ulët se 20.000 LEKË, dhe ata që kanë përfituar 10.000 LEKË apo 100.000 LEKË të vjetra kanë qenë pikërisht ajo shtresë që merr një pension më të lartë se 20.000 LEKË. Tashmë akoma nuk është vendosur kush do të jetë ai tavani, por unë mendoj që pothuajse do të jetë i njëjtë. Nëse i referohemi buxhetit të vitit të kaluar apo fondeve që do alokoheshin pikërisht për pensionistët, për bonuset, ka qenë shumë herë më e vogël se ç’është tashmë. Megjithatë, nuk dihet akoma se sa do të jetë shifra, se mund të jetë dhe po e njëjtë si viti i kaluar. Ky dyfishim apo trefishim mund të justifikohet me faktin që pjesa më e madhe e individëve të cilët kanë dalë në pension këtë vit kanë qenë ata individë të cilët kanë një pension të ulët apo të pjesshëm, për shkak dhe të punësimit informal në vitet e tyre të shkuara.
-Ndërkohë, lidhur me atë që u diskutua gjatë fushatës, për një plan më afatgjatë se nuk mund të funksionojë gjithmonë me bonuse. Jemi ende larg një skeme të mirëfilltë dhe dinjitoze për të moshuarit?
Unë mendoj që, për të qenë gjeneralist, mendoj që jemi larg dhe këtë e them me bindje. Për shkak se, nëse do të bëjmë llogaritë, së pari kemi nivele pensioni tepër të ulëta. Këtë gjë e dimë, por kemi dhe skemën e pensioneve në deficit. Tani, çështja është që, përveç faktit që e kemi në deficit, një pjesë e mirë e fondeve të buxhetit të shtetit shkon pikërisht për të mbajtur në këmbë këtë skemë pensionesh. Kush do ta rregullonte pikërisht këtë defiçit? Çfarë duhet të bëhet? Së pari, qeveria duhet të mendojë se si të rregullojë tregun e punës, sepse kemi një raport pothuajse një me një. Një kontribuues, një pjesëmarrës i tregut të punës, kontribuon për një pensionist. Ky është një raport i cili nuk e justifikon skemën e pensioneve. Atëherë duhet patjetër që të rrisim numrin e kontribuesve në tregun e punës, që do të thotë të jenë më shumë individë dhe të rritet numri i të punësuarve. Po si do të rritet numri i të punësuarve, ku pjesa më e madhe e të rinjve po shohin emigrimin si zgjidhje? Kjo prek pikërisht të rinjtë, sepse të rinjtë janë ai target grup që mund të konsiderohen si kontribuues afatgjatë. Si mund të presim që kjo skemë e pensioneve të rregullohet për një periudhë afatshkurtër kur kemi shumë profesionistë, siç mund të jenë mjekë, infermierë, pra të gjithë punonjësit e shëndetësisë, ndoshta dhe lektorë, inxhinierë, arkitektë e tjerë, që duan të emigrojnë në vendet e Bashkimit Europian? Sepse atje ka kërkesa për vende pune, ka dhe trajtim më dinjitoz të të punësuarve, në aspektin e pagës, por dhe të kualifikimeve. Të dyja palët, pra dhe të rinjtë, të cilët do të ishin kontribuues afatgjatë, por nga ana tjetër dhe profesionistët, të cilët i konsiderojmë në atë shtresën e mesme që sot po përballet me një kufij varfërie, dëshirojnë të emigrojnë. Pikërisht, edhe këto kanë dëmtuar skemën e pensioneve. Zgjidhja për të pasur një pension dinjitoz për të gjithë pensionistët, që me të drejtë, sepse në vitet e tyre ata kanë kontribuar dhe janë lodhur, dhe ne themi që Shqipëria është pranë rrugës europiane, por në të vërtetë janë dhe ata pensionistë të cilët e kanë dërguar këtë vend pranë rrugës europiane dhe meritojnë të kenë një pension dinjitoz- në të vërtetë, në këto kushte, ne po flasim për një pension normal, ndërkohë që ata nuk marrin asnjë pension normal. Duhet patjetër qeveria të reagojë dhe të reagojë me fushata ku të rregullojë tregun e punës, të luftojë evazionin fiskal dhe informalitetin. Çdo pensionist që sot po na ndjek do të thoshte që: “Mua nuk më intereson, unë dua të kem një pension i cili të më mundësojë minimalisht një jetesë normale”. Nëse unë do t’i referohem një studimi që kam bërë muajin e fundit, duke iu referuar mbrojtjes sociale dhe aspektit të kujdesit shëndetësor, pjesa më e madhe e pensionistëve, qoftë në qytet, por dhe në fshat, ku atje është dhe problemi më i madh, nuk marrin një kujdes shëndetësor cilësor. Edhe pse kemi një shëndetësi falas, përsëri lista e barnave të rimbursueshme nuk është aq e gjerë. Çështja është që shpeshherë detyrohen të shkojnë në spital.