Gara për bashkinë e Vlorës, Mersini: Më shumë zhvillim dhe transparencë! Sota: Ndëshkim arrogancës së qeverisë

Në 9 nëntor qytetarët e Vlorës do të zgjedhin kryetarin e ri të Bashkisë mes socialistes Brunilda Mersini dhe Dionis Sotës, i cili ka hyrë në garë si kandidat i pavarur, por që ka mbështetjen e Partisë Demokratike dhe forcave të tjera opozitare.
Socialistja Brunilda Mersini në një intervistë për Vizion Plus shpjegon se sfida e saj nuk është rezultati i 9 nëntorit, por si do u shërbejë më mirë qytetarëve të Vlorës.
“Vlora është një qytet që ka pritshmëri shumë të larta dhe me shumë të drejtë. Sepse kërkon të ketë një menaxhim më transparent, më dinjitoz dhe më bashkëkohor. Dhe synimi im është që institucioni i bashkisë të jetë një institucion partner i qytetit”, tha Brunilda Mersini, kandidatja socialiste për bashkinë e Vlorës.

Dionis Sota garon si kandidat i pavarur në një bashki që njihet si bastion i socialistëve, por duket se kjo sfidë nuk e tremb Sotën. Sipas tij PS edhe pse fitoi 83 mandate u soll në mënyrë arrogante me Vlorën.
“Pikërisht se i dhamë 83 mandate dhe u soll në një mënyrë më arrogante pikërisht në momentin që i dhamë më shumë se mund të parashikohej. Dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë u soll më bashkinë e Vlorës në një mënyrë që nuk i takon autoritetit të një qyteti siç është Vlora e cila ka gjak ka pasion, ka histori, ka flamurin kombëtar dhe kjo është e papranueshme. Pra dhe ky është shkaku që nuk do ta fitojnë më”, tha Dionis Sota, kandidat i pavarur për bashkinë Vlorë.
Kandidati që gëzon mbështetjen e Partisë Demokratike tregon për Vizion Plus se nuk ka komunikuar me liderin e opozitës Sali Berisha.
 “Jo nuk kam folur. Unë në momentin që kam shpallur kandidaturën e pavarur ka qenë data 7 ora 7, jo rastësisht, kam hapur dyert për çdo forcë opozitare dhe për të gjithë qytetarët e Vlorës”, tha Sota.
Kandidatja socialiste Mersini ka gati dhe programin e saj per Vlorën edhe pse mandati nëse fiton do të jetë i shkurtër.
 “Synimi im është një Vlorë e pastër në 180 ditë, ku ka një program realist se si do të menaxhohen burimet njerëzore, mbetjet urbane dhe se si landfilli i Sherishtës do të jetë një partner në punën e përditshme për eliminimin e hot spoteve kudo në Vlorë. Rruga e lagjes sime, është një projet që do të përfshijë urbanizimin e lagjeve të Vlorës, me ndriçim, trotuare dhe asfaltim”, deklaroi Mersini.
Zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Vlorës mbahen pak javë pasi Ermal Dredha dha dorëheqjen nga posti i qytetarit të parë të Vlorës.
/vizionplus.tv