Shqipëria është në rrugën e duhur sa i përket procesit të integrimit. Në forumin “Berlin Global Dialogue”, kryeministri Edi Rama u shpreh se tashmë Bashkimi Europian ndjen nevojën e Ballkanit Perëndimor, ndërsa u tregua optimist se puna e bërë nga Shqipëria do të vlerësohet.
“Është sfidë por nëse ecim në përputhje me kalendarin atëherë ana e tyre e marrëveshjes është se ata do t’i quajnë të mbyllura negociatat dhe do t’i kërkojnë shteteve anëtare t’i ratifikojnë, kemi parashikuar edhe 2 vite të tjera. Ja pse kam thënë 2030, bazuar në këtë marrëveshje. Nuk është një gjë që thjesht e dëshirojmë. Por me BE nuk i dihet kurrë, nuk është një bishë e parashikueshme, mund të ndryshojë, se nuk është një vend”, tha Rama.
Për kreun e qeverisë shqiptare, Europa duhet të reflektojë sa i përket konflikteve të brendshme, pasi sipas tij ajo nuk mund të shpëtohet nga liderët amerikanë.
“Europa duhet të mbledhë veten dhe duhet të kuptojë, sa më shpejt që nëse do të ruajë rëndësinë e saj duhet të ndryshojë me shpejtësi, duke e nisur me reflektimin mbi atë çka ka ndodhur deri në zgjedhjen e Trump dhe më pas kundrejt luftës në Ukrainë dhe të pyes veten nëse ka një strategji të qartë për këtë. I jep meritë Trump që e ka detyruar Europën të zgjohet”, tha shefi i qeverisë.
Nuk harroi të komentonte dhe videon virale me Presidentin e Francës Emmanuel Macron dhe Presidentin e Azerbajxhanit Aliyev. Ai shprehu keqardhje se ai çast shakaje u përdor nga kundërshtarët politikë të Trump, për t’a sulmuar atë.
“Kjo shaka miqësore u bë virale në Evropë, është argëtuese, por që në SHBA u përdor për të sulmuar presidentin, ishte diçka që më mërziti shumë, për demokratët sepse e kanë humbur realitetin dhe vazhdojnë të besojnë që epërsia morale mjafton për ta të pretendosh… Trump është aty ku është”, tha Rama.
Shefi i ekzekutivit u shoqërua nga Ministrja virtuale. Mes batutash, Rama u shpreh se “fëmijët e Diellës” do të jenë asistentët virtualë të deputetëve socialistë në Kuvend.
“Ndaj për herë të parë Diella është shtatzëne dhe pret 83 fëmijë, secili që do të jetë për çdo anëtar të parlamentit tonë dhe do të shërbejë si asistent për ta që do të marrin pjesë në seancat parlamentare, dhe do të mbajë shënim për çdo gjë që ndodh. Këto fëmijë do të kenë dijen e nënës së tyre”, tha ai.
Forumi ‘ Berlin Global Dialogue’ (BGD), këtë vit trajtoi temën “Zhvendosja e Fuqisë, Formësimi i Begatisë”./vizionplus.tv
