“Vetëm 1 në 11 studentë jeton sot te Qytet Studenti”,Xhaferri paralajmëron emergjencë për arsimin:35 milionë euro për..

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri është shprehur në një reagim se kushtet dhe tarifat në rritje kanë bërë që studentët të braktisin Qytetin Studenti.
Në postimin e tij në Facebook, Xhaferri shprehet se Bashkia Tiranë ka akorduar 5 miliardë lekë për fasada në Qytetin Studenti dhe po zbaton një projekt 35 milionë euro për rikonstruksionin e 19 godinave, ndërkohë që shumica e konvikteve mbeten të amortizuara.
Deputeti thotë se kjo ka nxjerrë studentët përballë agjencive imobiliare, që i tarifojnë me çmime të kripura, për të cilat thotë se janë derivat i pastrimit të parave në ndërtim. Xhaferri thekson se duhet të kthehen sytë nga këto pak studentë që kanë mbetur në vend.
Postimi i plotë:
Studentët i përzënë nga konvikti i QS, i ekspozojnë para babëzisë së agjentëve imobiliarë!
Kushtet skandaloze dhe tarifat në rritje kanë bërë që vitet e fundit të braktisin masivisht Qytetin Studenti, ku sot që flasim vetëm 1 në 11 studentë jeton në Qytetin Studenti.
Në dy vitet e fundit, me Manualin 5D, Bashkia Tiranë ka akorduar 5 miliardë lekë për fasada në Qytetin Studenti dhe po zbaton një projekt 35 milionë euro për rikonstruksionin e 19 godinave, ndërkohë që shumica e konvikteve mbeten të amortizuara.
Kjo ka bërë që studentët të ekspozohen përballë babëzisë së agjencive imobiliare, që i tarifojnë me çmime të kripura, të cilat janë derivat i pastrimit të parave në ndërtim.
Studentët shqiptarë po zhvaten barbarisht, pasi për të paguar kostot si të studionin në Vjenë apo Londër, u duhet të bëjnë nga dy ose tre punë dhe të sakrifikojnë arsimin.
Koha është të kthejmë sytë nga ata pak studentë që na kanë mbetur dhe kjo kërkon vizion, strategji dhe mbi të gjitha, vullnet.