“Shteti i ka harruar”/ Braktisja e të moshuarve, flet pedagogia: Janë në duart e neglizhencës

E ftuar në një emision televiziv, Suela Koçibellinj, aktiviste dhe pedagoge, foli mbi gjendjen alarmante të të moshuarve në qendrat rezidenciale, ku u shpreh se neglizhenca institucionale, braktisja dhe mungesa e ilaçeve po e thellojnë krizën humane në këto ambiente.
Koçibellinj theksoi se shumica e të moshuarve që përfundojnë në azilet shtetërore janë persona të pamundur, të braktisur ose me probleme të thella ekonomike, ndërsa ata që kanë mundësi për qendrat private përballen me kosto të papërballueshme.
Sipas saj, mungesa e kujdesit mjekësor, e psikiatrëve dhe mbi të gjitha mungesa e ilaçeve, e kthen jetesën në këto institucione në një realitet të trishtë, ku të moshuarit mbeten pa trajtim dhe pa dinjitet.
Pjesë nga deklarata:
Flasim për statistikën e atyre të moshuarve që ne kemi tashmë në qendra rezidenciale, pra vetëm ata janë matur. Ndërkohë, problematika e të moshuarve, për arsye edhe të moshës, vjen gradualisht me një rëndim mendor apo ndryshim të gjendjes mendore. Në parim, ata që përfundojnë ende, në kulturën tonë, në rezidenca dhe kryesisht në ato shtetërore janë ata që janë të pamundur.
Nuk besoj se këtu kemi ndonjë matje për ata pak që kanë shkuar në rezidenca private, ku kostot janë shumë të larta. Këta që shkojnë, kam bindjen se, nëse pyesim një të vetmuar, do të thotë: “Më lër të rri në shtëpinë time, mos më ço atje.”
Unë mendoj që ata duhet të jetojnë dhe të gëzojnë jetën e tyre, dhe ashtu online të shohin nipat dhe mbesat. Për ta kthyer te realiteti, nëse flasim për qendrat rezidenciale shtetërore, ende ekziston paragjykimi, por edhe realiteti dhe mendimi se të moshuarit nuk duan të shkojnë aty.
Ata që shkojnë janë ata që kanë më shumë probleme ekonomike, sociale, edhe të braktisur ndoshta, çka e bën më të rëndë gjendjen e tyre mendore.
Nëse themi se mungon psikiatri apo psikologu, është më shqetësuese nëse themi se mungojnë ilaçet. Sepse nëse flasim për psikiatrin, ai ndërvepron vetëm me ilaçe; pastaj është ndryshe ndërhyrja në nivel social, ndërveprimi terapish kjo nuk ka nevojë për ilaçe.
Kjo pastaj është tmerrësisht shqetësuese, nëse mungojnë ilaçet, nëse kushtojnë, nëse nuk janë të aksesueshme.
Këtu ata janë të neglizhuar; këtu fjala “diskriminim” patjetër që qëndron, por janë të neglizhuar. Janë të lënë pas dore totalisht në institucione që duhet të përmbushin detyrat pa kompromise.