BE 8 milionë euro për projektet e kulturës në rajon, fituesit prezantohen në Bylis

Në Bylis u prezantuan projektet fituese nga i gjithë rajoni në kuadër të programit Culture and Creativity for the Western Balkans (CC4WBs). Programi CC4WBs ka një mbështetje prej 8 milionë eurosh nga BE-ja, ku këto ditë u prezantuan projektet fituese nga gjithë rajoni, të cilat tregojnë se si kultura lidhet me aftësitë, ekonominë lokale dhe kapërcimin e kufijve kombëtarë.
Në njoftim thuhet se kjo ditë dëshmoi se trashëgimia kulturore në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm për t’u ruajtur, por edhe për t’u përdorur si mundësi, për të lidhur komunitetet dhe për t’i mbajtur vendet si Bylis-i në dialog të gjallë me të tashmen dhe të ardhmen evropiane. Silvio Gonzato Ambasadori i BE-së në Shqipëri tha se mbështetja për kulturën është edhe mënyrë për të kuptuar identitetin tonë evropian. “Ne, si Bashkim Evropian, angazhohemi në sektorin kulturor jo vetëm për të mbrojtur vende si ky park arkeologjik dhe tradita të gjalla si polifonia shqiptare, por edhe për të gjallëruar komunitetet, duke hapur perspektiva të reja zhvillimi, veçanërisht në turizëm, duke siguruar që kjo të jetë ekonomikisht dhe mjedisorisht e qëndrueshme.
Ne e mbështesim kulturën sepse ajo është edhe mënyrë për të kuptuar identitetin tonë evropian, sa kompleks aq dhe të përbashkët; dhe ky kuptim na ndihmon të kapërcejmë barrierat mendore dhe fizike mes njerëzve dhe vendeve. Diversiteti është pasuria jonë, por edhe ajo që na bashkon në BE,” tha Silvio Gonzato Ambasadori i BE-së në Shqipëri. Prezantimi i këtyre projekteve në Bylis është në vijim dhe të një sërë aktivitetesh, që janë zhvilluar më parë në këtë park arkeologjik me në fokus trashëgiminë dhe kulturën.