Nga Julia Vrapi
Kanë kaluar 60 vite që nga themelimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore që nuk është më si dikur. Por përballë problemeve me të cilat përballet trashëgimia kulturore në vend, specialistët herë pas here kanë shprehur kritika në drejtim të IKTK-së. Piktori Adrian Devolli, i cili nga viti 1979 deri më 1987 ka qenë restaurator pranë IMK-së, më pas deri në 1991 ka qenë pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, ku është marrë me shumë vepra shpreh kritika për institutin. Sipas tij ky institut ka humbur shumë nga puna, që bëhej dikur për dokumentimin, mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve të kulturës. “Sa restauratorë ka Instituti i Monumenteve sot IKTK? Kush është plani i IKTK për një vit? Ku janë ndërhyrjet e tyre? Këto janë me shifra, po ku janë? Nëse me thonë që bëhet një kishë në Voskopojë, që japin para dhe francezët, kështu po mund të bëhet ndonjë gjë e vogël, por unë po pyes në plan kombëtar, që ta mendosh kombëtarisht këtë punë. Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit po të kishte dashur do të kishte thirrur ata restauratorë që janë dhe ti kërkonte mendimin për të shpëtuar objekte”, shprehet Devolli. Piktori dhe restauratori Adrian Devolli thotë se dikur Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” kishte një përgjegjësi të madhe në fushën e trashëgimisë kulturore. Por për IKTK, ai thotë se nuk ka më njerëz për të bërë punën si dikur. “Dikur kishim Institutin e Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” me specialistë, por tani është Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore një institucion që ekziston tani vetëm de juro, de facto nuk bën asgjë. IKTK u reduktua në pak veta. Çfarë mund të bëjë sot? Këtu ka vlera të jashtëzakonshme kulturore, ka kisha objekte monument kulture. Nuk kanë bërë një album për ato vepra. Kanë bërë njerëz privatisht albume, por në nivel institucional përshembull për afresket nuk di? IKTK sot nuk ka atë predispozitë punë që ka pasur dikur, sepse nuk ka më njerëz për këtë punë. Dikur kur merrej një objekt, këtë se merrte një njeri që sapo kishte ardhur, sepse kërkon përgatitje. Dikur IMK ishte me përgjegjësi të madhe”, shprehet piktori dhe restauratori Devolli.
Puna për projektet
Trashëgimia Kulturore në vendin tonë ndeshet me probleme të ndryshme, e përballë kësaj situate zëri kritikë i specialistëve në këtë fushë nuk mungon, duke sjellë në vëmendje dhe punën që duhet bërë për hartimin e projekteve në monumentet e kulturës. Piktori Adrian Devolli ka qenë restaurator pranë Instituti të Monumenteve të Kulturës nga viti 1979 deri në vitin 1987 dhe thotë, se projektet e ndërhyrjes në monumentet e kulturës kërkojnë vetëm specialistët që të gjykojnë. “Instituti dikur kishte dhe degët e veta në rrethe, që mbulonin zonat përkatëse. Në institut bëheshin shumë punonjës. Nëse unë do shkoja në objekt mblidhej materiali fotografik, bëhej studimi, rilevimi i gjithë ndërtesës, me këto të dhëna shkohej në qendër në institut dhe bëheshin analizat në aspektin gjeologjik, puna për të parë nga vjen dëmtimi i afreskut, etj, më pas bëhej projekti që do vijonte në disa faza dhe dilje përpara një oponence të njerëzve që ishin të mençur dhe shpjegoje gjithçka rreth situatës së afreskut, çfarë ndërhyrjesh duheshin për të shpëtuar afreskun. Nëse kishte ndonjë mendim të kundërt normal merrej në konsideratë dhe shihej, kur arrihej konkluzioni se kush do të ishte rruga e ndërhyrjes fillonte puna. Por dhe tek puna vinin e shikonin se si po shkon procesi restaurimit. Sot kush janë specialistë, që e gjykojnë nëse bën apo jo një projekt?”, shprehet Devolli. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, u formua nga bashkimi i dy institucioneve të mëparshme në varësi të Ministrisë së Kulturës, përkatësisht nga Instituti Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. Por reagimi i restauratorit Devolli për çfarë ndodh me IKTK është në vijim dhe të specialistëve të tjerë më parë, sipas të cilëve duhet bërë më shumë në fushën e trashëgimisë kulturore vend. Me insistimin e Gani Strazimirit u bë e mundur që mbi bazën e sektorit të Mbrojtjes dhe Restaurimit të Monumenteve të Grupit të Kulturës Materiale të formohet në vitin 1965 Instituti i Monumenteve të Kulturës, drejtor i të cilit nga themelimi deri sa doli në pension ishte themeluesi i institutit Gani Strazimiri. Gani Strazimiri (1915-1993) ishte një arkitekt dhe urbanist shqiptar, i njohur për kontributin e tij të rëndësishëm në zhvillimin urbanistik dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.
Adrian Devolli: Nuk ka më Institut të Monumenteve si dikur, sot në IKTK numri i specialistëve është reduktuar dhe…
