Përfundon mandati i Mimoza Kaçit, kërkohet drejtor i ri për AMF-në

Posti i Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare do të jetë vakant duke filluar nga muaji tetor, pas përfundimit të mandatit të titullarit ekzistues, Mimoza Kaçi.Mimoza Kaçi u emërua për herë të dytë në Bordin e AMF-së, në vitin 2020, në detyrën e Nëndrejtorit Ekzekutiv. Më pas, në fund të vitit 2023, ajo u emërua Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive, për të përfunduar mandatin e ish-anëtarit, Ervin Mete.Për Mimoza Kaçin, mandati aktual ishte i dyti në Bordin e AMF-së. Ligji “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare” parashikon që anëtarët e Bordit të AMF-së kanë të drejtë rizgjedhjeje vetëm njëherë.Ligji i lejon anëtarit të Bordit të qëndrojë në detyrë deri në tre muaj pas përfundimit të mandatit. Me përfundimin e afatit tremujor, anëtari që i ka përfunduar mandati nuk mund të qëndrojë më në detyrë. Në rastin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, kompetencat i kalojnë përkohësisht Nëndrejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv. Aktualisht, ky pozicion mbahet nga Merita Gurabardhi.Sipas ligjit, kandidatura për anëtarin e Bordit që mban detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së miratohet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave. Kryeministria bëri në muajin korrik shpalljen publike për aplikim për kandidatët e interesuar. Afati për paraqitjen e aplikimeve ishte data 29 gusht, por deri tani Këshilli i Ministrave nuk ka miratuar zyrtarisht një kandidaturë për t’ia propozuar Kuvendit të Shqipërisë.Ligji kërkon që kandidati për Anëtar i Bordit të AMF-së të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve universitare në fushat ekonomike, juridike ose të lidhur me shkencën e aktuarëve dhe të ketë përvojë profesionale të paktën 7-vjeçare, nga të cilat, të paktën 5 vjet në financë-kontabilitet, administrim i shoqërive tregtare, këshillim ligjor i shoqërive tregtare, hartim legjislacioni, shkencë e aktuarëve ose sigurime shoqërore dhe pensione.Parashikimet e ligjit organik të AMF e kufizojnë ndjeshëm spektrin e kandidatëve potencialë që mund të jenë anëtarë Bordi të AMF, duke përfshirë edhe pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv. Sipas ligjit, nuk mund të jenë anëtarë të Bordit të Autoritetit persona, të cilët në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura; kanë lidhje familjare me personat e parashikuar në shkronjën “a” të këtij paragrafi; në tre vitet e fundit kanë qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura./ E.ShehuKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.