Shefi i qeverisë, Edi Rama prezantoi të gjitha masat e marra për forcimin e kontrollit mbi territorin dhe mbrojtjen e hapësirave publike. I shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes, Albana Koçiu dhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, kryeministri Rama vuri edhe njëherë “pikat mbi i” për ndërtuesit dhe zaptuesit e hapësirave publike.
Për çdo ndërtim që tejkalon lejen në masën 2%-10%, shtesa e bërë pa leje do të konfiskohet për interes publik, për t’u përdorur për zyra, apo për strehim special. Në rastet kur leja tejkalohet mbi masën 10% konfiskohet i gjithë ndërtimi për interes publik. Të gjitha hapësirat publike do të regjistrohen në një regjistër, ndërsa një tjetër do të jetë edhe për lejet e ndërtimit.
Me qëllim kontrollin e territorit do të ketë monitorime në kohë reale përmes teknologjisë, me dronë, apo GPS e kamera në kantieret e ndërtimit, me qëllim që mos të devijohet nga lejet e ndërtimit. Vijat e kuqe ua kujtoi edhe njëherë të gjithë ndërtuesve, të cilët nëse do shkelin lejet, emrin e tyre do ta gjejnë në një listë të zezë, e cila do të jetë publike dhe për 5 vite nuk do të marrin më leje. Në listën e zezë s’do jenë vetëm ndërtuesit, por edhe administratorët, ortakët, pronarët përfitues e deri te arkitektët. Këta të fundit do të përballen edhe me përgjegjësi në rast se devijohet leja e ndërtimit, të cilëve do t’u hiqet licenca për 5 vite.
Rama tha se me këtë paketë masash synohet forcim i kontrollit të territorit, ndërsa theksoi se arkitektët do të jenë subjekt i ligjit nëse do të konstatohen shkelje gjatë zbatimit të një projekti ndërtimi.
“Kam bindjen që do na japë rezultate të konsiderueshme, pasi krijon kushtet për disiplinim të gjithë procesit të ndërtimit, jo vetëm lidhur me ndërtimet pa leje, por edhe me ndërtimet me leje, që rëndom bëhen shkak deri për situata të vështira për njerëzit që paguajnë për të blerë një shtëpi dhe pastaj hasin pengesa deri edhe pamundësinë për të regjistruar shtëpinë e tyre si pronë të patundshme, apo pamundësinë për të hyrë në shtëpi”, tha Rama.
Do merret leje edhe për muret rrethuese.
“Padiskutim që siç merret leje për ndërtimin, merret edhe për murin rrethues. Muret pa leje do t’i nënshtrohen korrigjimit, të adaptohen sipas modeleve tip që do t’i vënë në dizpozicion bashkitë dhe patjetër që kudo ku janë ndërtuar në godina për qëllim fitimi se ka mure rrethuese shtëpish që procedura do të jetë mirëkuptuese dhe do jepet kohë që t’i adaptojënë si duhet. Kurse çdo mur rrethues nëpër resorte, pallate e godina për qëllim fitimi do prishet. Për çdo mur duhet marrë leje, sepse muret, e keni parë vetë, edhe kur keni shkuar në jug, që ato muret kanë tendencë të gllabërojnë treçerekun e trotuarit në të cilën nuk ecën dot çift por të ecësh anash që të mos biesh në rrugë. “, tha Rama.
Rama me masa të rrepta: Listë e zezë për ndërtuesit, s’do marrin leje për 5 vite
