Gërmimet arkeologjike në Gjirokastër dhe rezultat e tyre ishin në fokus të një konference shkencore. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, në bashkëpunim me misionin arkeologjik shqiptaro-italian, organizoi para disa ditësh një konferencë shkencore mbi gërmimet arkeologjike të zhvilluara në parkun arkeologjik të Antigonesë, kalanë e Gjirokastrës, si dhe në asete të tjera të trashëgimisë kulturore në rrethin e Gjirokastrës. Konferenca “Gërmime arkeologjike në Gjirokastër: Vlerësim i trashëgimisë dhe mundësitë për turizmin kulturor” bëri bashkë arkeologë dhe ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore, ku fokusi i saj ishte mbi hulumtimet arkeologjike dhe trashëgiminë kulturore, si një mundësi për të zgjeruar ofertën turistike drejt një turizmi kulturor të qëndrueshëm.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër prezantuan rezultatet e gërmimeve të realizuara gjatë vitit 2025 në kalanë e Gjirokastrës, të cilat u mirëpritën dhe u vlerësuan nga pjesëmarrësit. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shprehet se konferenca të tilla shërbejnë jo vetëm për promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe për shkëmbimin e ideve dhe përvojave, duke inkurajuar profesionistët e fushës që të vijojnë me përkushtim punën në funksion të mbrojtjes së trashëgimisë sonë të përbashkët. Më herët në muajin korrik u bë me dije se pas më shumë se 30 vitesh rifilluan gërmimet arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës. Gërmimet synonin të identifikonin fazat më të hershme të ndërtimit të kalasë, duke kontribuar në pasurimin e njohurive shkencore dhe të ofertës kulturore për vizitorët.
Gërmimet arkeologjike dhe rezultatet, një konferencë shkencore në Gjirokastër
