Nga Julia Vrapi
Grupe muzikore me artistë shqiptarë dhe të huaj në koncertet e “Balkan Jazz Showcase”, që këtë vit zhvillon edicionin e pestë të tij. Festivali që vjen i fokusuar te artistët dhe muzika xhaz sjell një program të pasur muzikor. Festivali nis nga teatri i Vlorës, për të vijuar dhe me të tjerë grupe artistësh në netët e tij në Universitetin e Arteve.
Jo vetëm muzikantë të njohur janë pjesë e këtij festivali, por një hapësirë e veçantë i kushtohet edhe artistëve të rinj. “Balkan Jazz Showcase 2025 (25-28 shtator) thuhet në njoftim për këtë edicion përfaqëson identitetin e një festivali gjithnjë e më ndërkombëtar, i cili mbi bazat e muzikës jazz ndërton një program të larmishëm, të hapur ndaj ideve të reja dhe në gjendje të përmbushë shijet e një publiku që rritet vit pas viti. “Ky organizim muzikor është i vetmi i këtij lloji në hapësirën ballkanike. I fokusuar totalisht tek artistët dhe Jazz-i ballkanik. Krahas promovimit të muzikës së artistëve të njohur të rajonit, një ndër qëllimet kryesore është krijimi i hapësirave për debutimin e muzikantëve të rinj. Vendosja e urave të komunikimit që marrin jetë edhe në projekte të tjera të përbashkëta. Në çdo edicion këto lloj bashkëpunimesh nuk kanë munguar. Çdo vit artistët shqiptarë vijnë me projekte të përbashkëta me muzikantë nga Ballkani dhe më gjerë. Veçanti e këtij edicioni të “Balkan Jazz Showcase 2025” është se zhvillohet në kuadër të veprimtarive që mbahen në Tiranë, si kryeqyteti mesdhetar i kulturës dhe dialogut”, thuhet në njoftimin e festivalit ndër të tjera. Festivali mirëpret yje ndërkombëtarë, talente në ngritje, virtuozë të muzikës jazz, muzikës etno-jazz ballkanike dhe ndërdisiplinore, performues eksperimentalë dhe inovatorë. Në materialin rreth festivalit thuhet se “Jazz in Albania” në edicionin e tij të 15-të dhe projekti “Balkan Jazz Showcase” në edicionin e pestë do t’i japin vendit, sidomos qendrës së Tiranës, atë atmosferë që i shkon për shtat natyrës mikpritëse të kryeqytetit. Dy tipare janë karakteristike dhe mbeten të pandryshuara për organizatorët, cilësia e programit dhe formula që është konsoliduar ndër vite.
Pjesëmarrësit në “Balkan Jazz Showcase 2025”
“Adriatik Jazz Ensemble” nga Italia në festival është një formacion që ofron një mozaik tingujsh dhe një dialog të hapur ndërmjet dy kulturave (Itali-Shqipëri) ku muzika jazz merr trajta të reja, duke i mbajtur rrënjët në traditë, por edhe duke u frymëzuar nga jazz-i bashkëkohor dhe eksplorimi. Në vijim është “Argalios” nga Greqia. Një trio muzikore bashkëkohore që përzien rrënjët tradicionale me eksperimentime të guximshme. “Argalios” është vetë personifikimi i “Balkan Jazz Showcase”, sepse nuk paraqet thjesht traditën e Ballkanit, por i jep asaj një shpirt të ri, për ta ringjallur në kohët moderne. Pjesëmarrës në festival edhe Muhamed Ibrahimi nga Maqedonia e Veriut, një instrumentist dhe kompozitor, i cili vjen në skenën e “Balkan Jazz Showcase” me një prani të rrallë dhe origjinale. Me kitarë akustike, mandolinë, saze dhe instrumente të tjera me tela, ai krijon një gjuhë muzikore unike. İZ / ARA / SEYİR, Turkish Modal Music & Jazz, është një udhëtim muzikor që bashkon thellësinë e makame-ve turke me lirinë shprehëse të jazz-it dhe fuqinë e improvizimit. Në muzikën turke, arabe ose indiane modaliteti është thelbësor: makam-et ose raga-t përcaktojnë strukturën e melodisë, intervalet, lulet dhe strukturën që krijohet. “Just Trio” nga Shqipëria është një hapësirë eksperimentale muzikore, ku secili prej instrumentistëve kontribuon me stilin dhe idetë e tij personale, duke krijuar një tingull unik që ndërthur folklorin ballkanik me ritmet dhe harmonitë e jazz-it modern. “UART Combo” është në vijim në programin e festivalit. Një ansambël i përbërë nga studentë të Degës së Muzikës Jazz në Universitetin e Arteve, i udhëhequr nga mentorët Andi Kongo (piano) dhe Emiljan Dhimo (bateri). Repertori i grupit përfshin kompozime të njohura standarde të jazz-it. Për organizatorët pjesëmarrja e këtij grupi në Balkan Jazz Showcase (Jazz in Albania) është shumë e rëndësishme, sepse u ofron studentëve të Universitetit të Arteve Tiranë të degës së muzikës jazz dhe jo vetëm- mundësinë për të përmirësuar aftësitë e tyre me profesorë që përfaqësojnë një nga metodat më prestigjioze të mësimdhënies në botë.
“Balkan Jazz Showcase” në edicionin e pestë në Universitetin e Arteve, një festival që po merr përmasa ndërkombëtare
