Teksa sot bëhen dy muaj nga arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, më 10 shkurt 2025, Veliaj ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale.
Kryebahskiaku thotë se sot bëhen dy muaj larg familjes dhe punës në bashki e fushatës, të cilat ai i cilëson dy pasionet e jetës.
Veliaj shkruan se është burgosur pa gjyq dhe falenderon personat që i kanë qëndruar pranë gjatë këtij procesi.
“Të dashur miq,
Sot mbushen 2 muaj nga burgimi im pa gjyq – larg familjes, gruas, djalit të vogël dhe nënës. Por, edhe larg punës në bashki e fushatës, dy pasioneve të jetës sime.
Doja vetëm t’ju falenderoja për mirësinë e mbështetjen ndaj Kait dhe Ajolës, si dhe dy nënave tona – 3 gra pa burrat e tyre, por me kurajo e dinjitet falë jush që u jeni gjendur pranë!
Jam ende pa akuzë prej një anonimi që nuk ekziston. S’ka dalë askush që të kem korruptuar. Ende askush që të më ketë korruptuar. Kush më njeh e di që në çdo ditë të punës time kam ndihmuar këdo, kudo e kurdo me ndershmëri.
Ndaj, meqë më janë ndaluar opinionet mbi këtë proces grotesk, atyre që i janë gjendur familjes sime, iu them nga zemra “Faleminderit”!
Nuk do t’ua harroj kurrë!
Bekime dhe mall për ju të gjithë”, shkruan Veliaj.
