Edhe në këto ditë shtatori, Parku Kombëtar i Butrintit vazhdon të vizitohet nga një numër i madh turistësh. Jashtë murit rrethues të parkut, janë me dhjetëra vizitorët të cilët kanë formuar radhë të gjata për të parë nga afër këtë thesar të trashëgimisë tonë kulturore.
Rrënojat antike, amfiteatri dhe peizazhi i mrekullueshëm mes liqenit e bëjnë Butrintin një destinacion ku historia dhe natyra bashkëjetojnë në harmoni. Një udhëtim që nuk është thjesht turistik, por një përvojë e thellë kulturore.
Turistët veçojnë më shumë bazilikën dhe kalanë. Ata shprehen me superlativa për qytetin antik dhe për mënyrën se si është ruajtur. Vizitorët e huaj thonë se kryesisht janë njohur në rrjetet sociale me këtë sit, por edhe nga guidat e shpërndara në aeroportin e Rinasit.
Parku Kombëtar i Butrintit mbetet një prej destinacioneve më të vizituara në vend.
Ky qytet antik, i mbrojtur nga UNESCO, është dëshmi e gjallë e qytetërimeve të mëdha që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit.
Kompleksi arkitektonik i Butrintit përfshin 15 zona të periudhave të ndryshme historike, duke filluar nga shekulli IV para Krishtit, deri në shekullin XVI pas Krishtit. Ky mozaik epokash e bën Butrintin një muze të hapur të qytetërimeve që kanë kaluar nëpër shekuj – nga romakët, bizantinët, venecianët e deri në Mesjetë.
Shtatori me radhë të gjata për të vizituar Butrintin, destinacion ku historia takon natyrën
