Nga Julia Vrap
“Miu Griosh” një komedi shqiptare, që vjen premierë në skenën teatrore këtë shtator. Me ngjarje që zhvillohet në mjediset e një shtëpie, në teatër vjen një komedi që të bën të qeshësh me firmën e pakujdesshme. Një vepër që mban emrin e dramaturgut Odise Plaku, i cili me veprat e tij në skena përcjell dhe mesazhe përmes ngjarjeve që zhvillohen. Komedia do të jetë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, me regji nga Eliona Thomaraj dhe në role janë një kastë aktorësh të njohur. Komedia që pritet të jetë premierë në skenë për publikun rikthen në skenën teatrore dhe aktoren Julia Ilirjani, ndërsa në role janë edhe aktori Gert Ferra dhe Kliton Rama. Dramaturgu Odise Plaku, veprat e të cilit janë vënë në skena brenda dhe jashtë vendit, si dhe janë mirëprit nga publiku e kritika thotë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që veprat shqipe të jenë prezente dhe të zhvillohen fuqishëm në skenat tona teatrore. “Për mua është kënaqësi në drejtim të promovimit të një vepre, që flet shqip dhe shton zinxhirin e krijimeve të mia që shohin dritën e skenës. Sa më shumë vepra shqip aq më e pasur është kultura shqiptare, por rritet dhe shkalla e përgjegjësisë regjisoriale dhe autoriale”, thotë dramaturgu Odise Plaku. Shfaqja që do të jetë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga data 12 deri më 14 shtator pritet që të vijojë më pas edhe në skena të qyteteve të tjera të vendit. Sa i takon krijimtarisë së tij, Odise Plaku më herët ka shprehur se ai ka shkruar drama, komedi, monodrama, me të njëjtin pasion dhe përkushtim si në fillim.
Komedia në sezonin e ri artistik
Sezoni artistik teatror që u mbyll në muajin qershor solli vepra teatrore që mbanin emrin e Odise Plakut si dramaturg, të cilat u vlerësuan dhe me çmime dhe u shfaqën në skena brenda dhe jashtë vendit, ndërsa në vijim me sezonin e ri pritet edhe premiera e komedisë “Miu Griosh”. Projekti për këtë komedi që vjen në skenë është mbështetur nga Bashkia e Tiranës. Ngjarja në komedinë “Miu Griosh” zhvillohet në mjediset e një shtëpie, ku befas një gjendet një mi, i cili sjell trazime te i zoti i saj Alberti, që lufton për ta larguar. Kjo luftë i sjellë mërzi Dianës, e cila propozon që për ta larguar miun le të marrin në shtëpi një mace. Alberti i urren macet dhe pranon të bashkëjetojë me miun. Xhentilesa e miut bën që Diana ta shikojë me admirim. Mes të treve bëhet një pakt që në shtëpi të mos ketë rrëmujë dhe probleme. Nën nënshkrimin e paktit në të cilin miu Griosh lejohet të banojë në këtë shtëpi, miu shton si me të qeshur shprehjen “….dhe për më tepër, e shpallim si djalin tonë të vetëm”. Dokumenti firmoset dhe mbetet në dorën e miut Griosh, i cili tashmë e shikon veten si zot të shtëpisë, dhe fillon dhe kërkon trajtim të veçantë. Një ditë, teksa Diana ishte larguar me disa mikeshat e saj në një udhëtim turistik, miu Griosh ankohet për pastërtinë në shtëpi dhe këshillon Albertin të marrë një pastruese. Por, ky është një kurth i ngritur nga Grioshi, pasi pastruesja e ngacmon Albertin, duke i ofruar të bëjnë marrëdhënie së bashku. Situata komplikohet dhe miu Griosh vazhdon lojën e tij djallëzore duke futur sherrin mes Dianës dhe Albertit. Ai fton sërish pastruesen, një mikeshë të tij, në shtëpi, por në fakt Alberti nuk di gjë. Pas akuzës për tradhti Diana largohet nga shtëpia, por Alberti nuk mund të qëndrojë në të njëjtin mjedis me miun Griosh, i cili e ka paralajmëruar që nëse e godet do të përballet me drejtësinë dhe mund të përfundojë në burg. Në fund, pas hapjes së shishes së shampanjës, miu Griosh merr në telefon mamanë e tij, duke e ftuar që të vijë me gjithë fisin e tyre të jetojnë së bashku në këtë shtëpi të re dhe moderne
Në teatër vjen premierë “Miu Griosh”, komedia që të bën të qeshësh me firmën e pakujdesshme
