Partia Demokratike ka akuzuar ashpër Ministrinë e Bujqësisë për mënyrën se si po menaxhohet asgjësimi i pulave të ngordhura si pasojë e gripit të shpendëve (H5N1), duke ngritur dyshime për shkelje të ligjit dhe favorizime të paligjshme.
Në një deklaratë për mediat, Grigels Muçollari, anëtar i Kryesisë së PD, tha se asgjësimi i shpendëve nuk po kryhet sipas metodave të parashikuara me ligj (groposje apo djegie), por përmes renderingut – një metodë e bluarjes industriale, që nuk garantohet si e ligjshme për raste të tilla dhe që nuk është zyrtarizuar në Fletoren Zyrtare.
“Ky urdhër për përdorimin e renderingut gjendet vetëm në një reagim të shpërndarë për mediat gjatë kulmit të krizës, por nuk është i publikuar në Fletoren Zyrtare, çka do të thotë se nuk ekziston si akt ligjor”, tha Muçollari.
Sipas tij, kjo procedurë ngre pikëpyetje të mëdha për transparencën dhe ligjshmërinë e veprimeve të ministrisë, duke lënë të kuptohet se mund të jetë një manovër për të favorizuar një kompani të lidhur me qeverinë.
Muçollari akuzoi ministren Anila Denaj se jo vetëm nuk po merr masa të duhura për përballimin e krizës së sigurisë ushqimore, por edhe po ndjek praktika të dyshimta që shkelin ligjin nr. 10465 për shërbimin veterinar. Ai kërkoi ndërhyrje nga SPAK për të hetuar procedurat dhe për të ndëshkuar çdo shkelje të ligjit.
Ministria e Bujqësisë, në një deklaratë më 4 prill, kishte njoftuar se mbi 497 mijë pula të ngordhura nga gripi janë asgjësuar përmes djegies, por pa dhënë informacion të detajuar mbi vendndodhjen apo mënyrën e zbatimit të procesit.
PD deklaroi gjithashtu se do ta ketë sigurinë ushqimore si një prioritet kombëtar, duke u angazhuar për reforma dhe masa ligjore që të garantojnë cilësinë dhe sigurinë e produkteve shqiptare në treg.
“Siguria ushqimore është çështje e sigurisë kombëtare. Ne angazhohemi për një kurs të ri transparence, ligjshmërie dhe përgjegjshmërie në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor”, përfundoi Muçollari.
Reagimi i plotë:
Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, ende nuk ka dhënë dorëheqjen dhe nuk është marrë në përgjegjësi penale, edhe pse skandalet në sektorin që ajo mbulon nuk kanë të ndalur. Pasi lejoi hyrjen në treg të pulave të infektuara me salmonelë, pasi nuk garanton sigurinë ushqimore-detyrë e institucioneve që varen prej saj-dhe ndërkohë që vendi ndodhet në kushte emergjence kombëtare përsa i përket sigurisë ushqimore, znj. Denaj nuk ka zbatuar as procesin ligjor për asgjësimin e shpendëve të ngordhur si pasojë e gripit.
Ligji parashikon qartë se duhet ndjekur metoda e groposjes ose djegies, referuar ligjit nr. 10465 për shërbimin veterinar.
Emisioni ‘Piranajt’ ka zbuluar se në vend të këtyre metodave, asgjësimi i shpendëve po kryhet me metodën e renderingut (bluarje), e futur si risi nga znj. Denaj me një urdhër të datës 4 mars. Ky urdhër gjendet në të vetmin reagim zyrtar gjatë kulmit të krizës, por nuk është publikuar në Fletoren Zyrtare-çka do të thotë se zyrtarisht nuk ekziston si akt, duke e bërë edhe më të dyshimtë vetë procesin.
Pse u fut kjo metodë? Kush favorizohet? Kush po përfiton nga ky ‘pazar’?
Ndërkohë që Ministrja dhe qeveria nuk kanë marrë asnjë masë për përballimin e gripit të shpendëve-i cili ka dëmtuar mbi 450 mijë krerë pula dhe qindra mijëra vezë-znj. Denaj duket se ka gjetur kohë për të favorizuar një klient të lidhur me rilindjen.
Nëse znj. Denaj shkel ligjin, nuk mban përgjegjësi, nuk bën transparencë dhe nuk jep dorëheqjen-çfarë pret ende SPAK për të vepruar? Kur do të ketë drejtësi për mungesën e sigurisë ushqimore, që është një interes jetik për vendin?
Partia Demokratike e ka prioritet sigurinë ushqimore dhe e konsideron atë një çështje të sigurisë kombëtare. Ne angazhohemi për të ndërmarrë një kurs reformash, masash dhe ligjesh, për të garantuar siguri ushqimore për qytetarët shqiptarë dhe për çdo produkt ‘Made in Albania’.
‘Asgjësimi i pulave të ngordhura, jo sipas procesit ligjor’, PD: Asnjë masë për përballimin e gripit të shpendëve
