Prej dy ditësh ka nisur vala e dorëheqjeve në bashkitë e vendit, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për rifreskimin e strukturave drejtuese në pushtetin vendor.
Në disa bashki kryesore të vendit, si Fieri, Durrësi, Vlora, Korça dhe Gjirokastra, dorëheqjet janë dorëzuar në mënyrë zinxhir. Të martën, dorëheqje janë regjistruar edhe në bashkitë Vau i Dejës, Sarandë, Berat dhe Selenicë, ku janë larguar nga detyra zëvendëskryetarë, administratorë dhe drejtorë.
Megjithatë, jo të gjitha bashkitë i janë bindur kërkesës së kreut të qeverisë. Në jug të vendit, disa drejtues vendorë kanë refuzuar të ndërmarrin shkarkime. Kryetari i Bashkisë Konispol, Ergest Dule, deklaroi për Euronews Albania se drejtorët aktualë janë të rinj dhe nuk po performojnë keq, duke shtuar se kërkesa e kryeministrit është keqkuptuar në media.
Qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe kryetari i Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema, i cili theksoi se drejtuesit janë emëruar së fundmi dhe se do të vlerësohet performanca e tyre përpara marrjes së një vendimi.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, deklaroi pas një mbledhjeje me kryeministrin në Durrës se zëvendëskryetarët në këtë bashki janë të rinj, duke lënë të kuptohet se nuk do të shkarkohen.
Ndërkohë, një ditë më parë, disa kryetarë bashkish nga radhët e opozitës i janë drejtuar me një letër institucioneve ndërkombëtare, ku kanë shprehur shqetësimin për cenimin e autonomisë vendore si pasojë e vendimeve të fundit të ndërmarra nga kryeministri Rama.
Urdhri i Ramës për dorëheqjen e drejtorëve/ Ja cilat janë bashkitë që e kanë zbatuar përpikmërisht
