Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian ka rrëzuar përfundimisht përpjekjet e kompanisë Spin Master Toys UK për të mbrojtur me markë tregtare dizajnin e famshëm të Kubit të Rubikut, duke i dhënë fund një beteje të gjatë ligjore mbi statusin e pronësisë intelektuale të kësaj lodre enigmatike.
Në vendimin e dhënë të mërkurën, gjyqtarët me seli në Luksemburg konstatuan se forma klasike e kubit, rrjeti i ndarjeve dhe skema me gjashtë ngjyra nuk mund të mbrohen si markë tregtare, pasi të gjitha këto elementë janë thelbësorë për funksionimin e lodrës. Sipas gjykatës, ato nuk janë veçori dekorative apo dalluese, por pjesë e domosdoshme e mënyrës se si funksionon loja, duke e përjashtuar kështu dizajnin nga mbrojtja që ofron ligji i BE-së për markat tregtare.
Çështja nisi kur kompania Verdes Innovations SA kontestoi markat tregtare të regjistruara ndërmjet viteve 2008–2012 nga pronari i mëparshëm i Kubit të Rubikut. Në vitin 2017, Zyra e Pronësisë Intelektuale të BE-së (EUIPO) i dha të drejtë paditësve, duke deklaruar se tiparet e kubit janë thelbësisht funksionale. Përpjekjet e Spin Master për të kundërshtuar këtë vendim ranë poshtë në instancën më të lartë, e cila e përforcoi qëndrimin e EUIPO-s.
Kompania britanike kishte kërkuar të siguronte të drejta ekskluzive për dizajnin e krijuar që nga viti 1974 nga arkitekti hungarez Ernő Rubik, duke e parë si një aset potencialisht fitimprurës në tregun global të lodrave. Por, me këtë vendim, gjykata përcakton qartë se asnjë element funksional i një produkti nuk mund të monopolizohet përmes regjistrimit si markë tregtare.
Vendimi e rikthen Kubin e Rubikut në atë që shumë e konsiderojnë vendin e tij të natyrshëm: një thesar publik që vijon të sfidojë trurin dhe të frymëzojë breza pa kufizime pronësie.
