Mozaiku i Tiranës, monument kulture i kategorisë së parë, përveç pjesës së muzealizimit të objekteve është konceptuar edhe si një qendër edukimi e inovacioni. Mozaiku i Tiranës është një monument arkeologjik me rëndësi të madhe historike, në të cilin janë kryer më parë edhe ndërhyrje restauruese. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe kryeministri Edi Rama ishin pranë Mozaikut të Tiranës, një dritare e re e interpretimit bashkëkohor të trashëgimisë sonë arkeologjike. Ministri Gonxhja shprehet se Mozaiku i Tiranës tashmë është transformuar tërësisht. “Në Mozaikun e Tiranës, së bashku me kryeministrin Edi Rama, dikur një monument “i heshtur” i trashëgimisë kulturore, tashmë i transformuar tërësisht!
Një hapësirë e re moderne, që do të shërbejë si platformë për prezantimin e mozaikëve më të rëndësishëm, si dhe do të kthehet në një destinacion të rëndësishëm kulturor për Tiranën. Në kushte optimale konservimi dhe përmes programeve edukative me fëmijët e të rinjtë, kjo hapësirë do të jetë një dritare e re e interpretimit bashkëkohor të trashëgimisë sonë arkeologjike”, shprehte ministri Blendi Gonxhja në rrjete sociale. Mozaiku i Tiranës është një monument arkeologjik me rëndësi të madhe historike dhe artistike. Ai daton nga periudha e shekullit III-IV pas Krishtit dhe është një nga dëshmitë e rralla të ekzistencës së një vile romake ose ndërtese të ngjashme në atë kohë në zonën e Tiranës. Në Mozaikun e Tiranës në gusht të vitit 2021 rinisën gërmimet arkeologjike. Gërmimet në këtë zonë u bënë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Tiranë dhe Universiteti i Tiranës. Ndërhyrjet më të fundit më Mozaikun e Tiranës sipas ish Ministrisë së Kulturës ishin kryer në vitet 2006-2008, nga profesor Skënder Muçaj.
Gonxhja: Mozaiku i Tiranës dikur një monument “i heshtur” i trashëgimisë kulturore, tashmë i transformuar tërësisht
