Çanta e parë Birkin, e dizajnuar nga marka luksoze franceze Hermès për aktoren Jane Birkin në vitin 1984, do të dalë në ankand në Paris më 10 korrik, njoftoi të enjten shtëpia e ankandeve Sotheby’s.
Kjo çantë e zezë prej lëkure, e cila është kthyer në një nga modelet më të famshme dhe më të shtrenjta në botë, do të jetë qendra e ankandit të titulluar “Ikona të Modës”. Sipas Sotheby’s, ky prototip “historik dhe i punuar me dorë”, është i gravuar me inicialet J.B. dhe ka disa veçori unike, përfshirë unazat metalike të mbyllura, rripin e supit të pandashëm dhe një prerës thonjsh të integruar.
Historia e krijimit të çantës Birkin është kthyer në një legjendë moderne të modës. Gjatë një fluturimi Paris–Londër, këngëtarja dhe aktorja anglo-franceze Jane Birkin e cila ndërroi jetë në vitin 2023 u ankua tek një udhëtar se nuk gjente një çantë që i përshtatej nevojave të saj si nënë e re. Ai udhëtar ndodhi të ishte Jean-Louis Dumas, atëherë drejtues i Hermès.
Nga kjo bisedë lindi një çantë e bollshme me hapësirë për biberonë, e krijuar në vitin 1984 dhe që më pas u pagëzua me emrin Birkin. Katër dekada më vonë, ajo është kthyer në produktin më ikonik të shtëpisë Hermès.
Jane Birkin me çantën e saj ikonike Hermès Birkin
E prodhuar në sasi shumë të kufizuara, çanta Birkin ruan një status ekskluziviteti. Çmimet fillojnë nga disa mijëra euro për modelet më të thjeshta dhe arrijnë në qindra mijëra për versionet më luksoze. Të dashura nga yje si Khloe Kardashian, Jennifer Lopez dhe Victoria Beckham, këto çanta nuk ekspozohen në dyqane dhe nuk mund të porositen online.
Prototipi i parë i çantës do të ekspozohet fillimisht në Sotheby’s në New York nga 6 deri më 12 qershor, përpara se të shfaqet në Paris. Ankandi do të hapet online më 26 qershor dhe do të përfundojë më 10 korrik. Ende nuk është publikuar një çmim i parashikuar, pritet që çanta të arrijë një vlerë të lartë për shkak të rëndësisë së saj historike dhe kulturore.ajisur me një rrip të pandryshueshëm, harduer prej bronzi dhe inicialet “J.B.” të Jane Birkin. Përveç çantës Birkin, do të shiten edhe pjesë të famshme nga pasarelat e modës të stilistëve si Christian Dior, John Galliano, Thierry Mugler dhe Alexander McQueen.
/vizionplus.tv
