Elmas Bogdani
Kryeministri Edi Rama po përjeton ndoshta momentin më të ftohtë në marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga ardhja në pushtet. Fitorja e kontestuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, e përfshirë nga një sërë akuzash për intimidim, manipulim, blerje votash dhe shkelje të standardeve ndërkombëtare, nuk ka marrë ende një mbështetje entuziaste nga partneri më i madh strategjik i Shqipërisë.
E ndërsa katër vite më parë ambasada amerikane në Tiranë nxitoi të përgëzonte publikisht Edi Ramën për fitoren e tretë radhazi, këtë herë heshtja, ftohtësia dhe një deklaratë e thatë në formën e një statusi në Twitter po interpretohen si sinjal i qartë se diçka ka ndryshuar në raportin mes Ramës dhe Uashingtonit. Në këtë sfond diplomatik të ngrirë, gazetari që prej vitesh jeton dhe punon në SHBA, Robert Papa, hedh dritë mbi zhvillime shumë më serioze që po ndodhin pas kuintave të administratës së Donald Trump.
Ai flet për një hetim të ri që ka nisur në lidhje me krimet zgjedhore në Shqipëri, intimidimin e votuesve dhe pengimin sistematik të ushtrimit të votës në mënyrë të lirë. Sipas Papës, kjo administratë e re republikane, ndryshe nga ajo e Biden dhe Blinken, nuk do të ndërhyjë drejtpërdrejt në politikën shqiptare, por po ndërton një dosje të plotë që mund të tronditë pozitat e Edi Ramës në arenën ndërkombëtare. Në qendër të kësaj dosjeje është gjithashtu rihapja e çështjes së Charles McGonigal, ish-zyrtari i lartë i FBI-së, i cili akuzohet për lidhje të paligjshme me kryeministrin shqiptar.
Dosja McGonigal, e cila është kthyer sërish në vëmendje përmes një dëshmie tronditëse të të dashurës së tij që pretendon se është kërcënuar për shkak se ka publikuar foto me Ramën është bërë sërish objekt diskutimi në qarqet më të larta republikane. Sipas Robert Papës, vetë Presidenti Trump i ka dhënë një urdhër ekzekutiv për të rihapur dosjen dhe për të çuar para drejtësisë çdo lidhje të dyshimtë mes Ramës dhe zyrtarëve amerikanë të korruptuar. Përballë një klime të tillë armiqësore dhe një administrate amerikane që nuk po i jep më imunitet politik, sipas Robert Papës, Edi Rama rrezikon jo vetëm të përjashtohet nga mbështetja ndërkombëtare, por të përfshihet në një hetim që mund të ketë pasoja të rënda politike dhe personale.
Ja qëndrimi i Robert Papës në emisionin e tij “Fokus”
“Nuk mund të bëj parashikuesin e motit, të them që do ta njohë Amerika apo nuk do ta njohë fitoren madhështore të Ramës. Nuk e ka këtë tagër Departamenti Amerikan i sotëm. Por që hetime për intimidim dhe moslejimin e ushtrimit të votës, pra pa dhunë, sipas ligjeve, kanë nisur. I takon lidershipit, sidomos figurave të reja, demokratët, të cilët kanë qenë dhe herë të tjera në Departament, të vijnë të ngrenë zërin e tyre. Nuk bëhet me lobistë, bëhet me kontakte.
Kujtoj kohën kur kemi shkuar me Pjetër Arbnorin në zyrën e Departamentit Amerikan të Shtetit, për zgjedhjet e 2001, besoj. Na kanë pritur, kanë mbajtur shënim. Natyrisht, Departamenti nuk reagon çast. Kështu përpilohen dosje, kështu përpilohen politika, kështu mbajnë qëndrime. Ky vend, kjo administratë, nuk ngjan me administratën e Blinken-it. Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili pritet të bëjë shkurtime drastike dhe një revolucion kulturor, siç do të ma thoshte ambasadori Bolton dikur, do të mbajë tjetër anë, tjetër qëndrim. Por jua kam thënë, duke qenë një administratë Trump-ianë, nuk do të ndërhyjnë siç ka ndërhyrë më parë.
Mbase kjo na dëmton. Por ajo ftohtësi e akullt, si një xhenaze, nga ambasada përmes urimit në Twitter, tregon që nga ekuacioni amerikan edhe Rama po largohet. Ndaj jo më kot ju kam thënë që kandili i tij ka kohë që është shuar. Është shfaqur edhe njëherë dosja McGonigal, përmes të dashurës së tij skandaloze, e cila thotë “Jam e kërcënuar se kam publikuar fotot e McGonigal me kryeministrin shqiptar”. Presidenti Trump i ka dhënë urdhër Kash Patel-it, urdhër ekzekutiv, për dosjen McGonigal.
Deri tani, të paktën publikisht, nuk është bërë asgjë. Por kjo do t’i kushtonte vendin e punës Kash Patel-it, në qoftë se nuk do ta rihapte edhe njëherë. Don Bongino, ish-polic i Neë York-ut, ka thënë që do të rihapim dosjet që kanë rëndësi të madhe publike. Menjëherë ka qenë reagimi i ish-drejtorit të FBI-së, Comey, i cili thotë që “Një njeri që merret me podkaste nuk e ka idenë se si bëhen hetimet”. Këto hetime kanë vazhduar. Nuk është gjë e re. Ndërsa Kash Patel-i thotë që unë nuk do të lejoj të më jap leksione. Comey si inteligjent është shumë më lart se Kash Patel. Por Kash Patel është nga njerëzit loyal, besnikë të zotit Trump, dhe urdhrin ekzekutiv do s’do, do ta zbatojë, ndryshe do të lërë vendin e punës”, shprehet ndër të tjera Robert Papa.
Edi Rama në qendër të stuhisë amerikane, ja si SHBA po i “qep” dosjen për krimet zgjedhore dhe lidhjet me McGonigal…
