Nga Julia Vrapi
Koncerti që solli këngë tradicionale shqiptare në një formë të re përmes xhazit ishte pjesë e aktiviteteve, që janë zhvilluar këto ditë në kuadër të Javës së Evropës 2025. Projektet e përzgjedhura në kuadër të kësaj jave i takonin teatrit, muzikës, arteve pamore, etj, ku një koncert u zhvillua këto mbrëmje edhe në sallën Black Box të Universitetit të Arteve në Tiranë. Ndalesa e fundit e JALBOZ gjatë Javës së Evropës u zhvillua në sallën Black Box të Universitetit të Arteve, duke përmbyllur një rrugëtim që solli më pranë xhazin dhe muzikën tradicionale shqiptare.
Pas një performance mbresëlënëse në Shkodër dhe Korçë, JALBOZ nga Rona Nishliu dhe Gent Rushi mbërriti në Tiranë këtë Javë të Evropës. Në faqen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri thuhet se ishte një koncert, që solli këngë tradicionale shqiptare në një formë të re përmes xhazit, improvizimit dhe ndjeshmërisë moderne. “Një takim mes së shkuarës dhe së tashmes në një natë plot ritëm dhe emocion”, thuhet për koncertin. Në këtë koncert këngëtarja e njohur Rona Nishliu, Gent Rushi dhe artistë të tjerë e ngritën audiencën në këmbë me një performancë prekëse dhe të krijuar bukur.
“Me zë, piano, bateri dhe instrumente të tjera tradicionale ata i dhanë jetë këngëve të vjetra në një formë krejtësisht të re, duke treguar se muzika tradicionale mund të jetë po aq e fuqishme edhe sot”, thuhet në faqen e Delegacionit të BE-së në Shqipëri që ka ndarë dhe foto nga ky koncert, që u zhvillua mbrëmjen e 29 majit në Tiranë. Koncerti që solli në skenë këngëtaren Rona Nishliu dhe artistët Gent Rushi- piano, Ermal Rodi – saxophone & clarinet, Emiljan Dhimo- drums do t’ia lërë radhën të tjerë aktiviteteve që do të zhvillohen edhe gjatë kësaj dite në kuadër të Javës së Evropës 2025.
11 artistë dhe grupe artistike në Javën e Evropës
Teatri, filmi, muzika, ekspozitat, performancat dhe arti bashkëkohor pjesë e aktiviteteve të zhvilluara në Javën e Evropës në vendin tonë. Nga 200 aplikime për të qenë pjesë e këtyre aktiviteteve nga thirrja që u hap më parë, u përzgjodhën për të marrë pjesë 11 artistë dhe grupe artistike. Në faqen e Delegacionit të BE-së në Shqipëri më herët bëhej me dije se nga data 17 deri më 31 maj, Java e Evropës 2025 sillte mbi 30 aktivitete kulturore në nëntë qytete të Shqipërisë.
Pas një thirrjeje të hapur që tërhoqi mbi 200 aplikime, në edicionin e këtij viti u përzgjodhën për të marrë pjesë 11 artistë dhe grupe artistike. Pjesëmarrja në secilin aktivitet për publikun ishte e lirë. Përveç shfaqjeve dhe ekspozitave, Java e Evropës pati gjithashtu edhe sesione bisedash mbi artin dhe biseda me artistë, duke ofruar një platformë për dialog dhe shkëmbim mbi muzikën, filmin, teatrin dhe artet performuese. Këto ditë në Europe House, artistë, muzikantë dhe regjisorë u mblodhën për një edicion të veçantë të TalkArt, pjesë e Javës së Evropës.
Në faqen e Delegacionit të BE-së në Shqipëri bëhet me dije se në moderimin e Mikaela Mingës, paneli solli Harlen Nikollin, Lorin Terezin dhe Mardit B. Lleshin, secili me një këndvështrim të veçantë mbi kuptimin e të krijuarit muzikë dhe film në Shqipërinë e sotme. Në kuadër të Javës së Evropës më herët u bë me dije se aktivitetet do të zhvilloheshin në Tiranë, Kamëz, Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë, Pilur (Himarë) dhe Berat.
Këngë tradicionale shqiptare në një formë të re përmes xhazit, pas Shkodrës dhe Korçës artistët koncert në Tiranë
