Presidenti amerikan, Donald Trump, sinjalizoi të premten për një rinisje të tensioneve tregtare me Kinën, duke argumentuar se Pekini kishte “shkelur plotësisht” marrëveshjen për uljen e tarifave, një kohë kur duket se negociatat mes dy vendeve janë bllokuar.
Komentet e Trumpit erdhën pasi sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha në një intervistë për Fox News se bisedimet tregtare me Kinën ishin “disi të bllokuara”.
Dy ekonomitë më të mëdha të botës kishin rënë dakord në fillim të muajit për të ulur përkohësisht tarifat shumë të larta që kishin vendosur ndaj njëra-tjetrës, një pezullim që do të zgjaste 90 ditë, pasi zyrtarët e lartë të të dyja vendeve u takuan në Gjenevë.
Por, të premten Trump shkroi në platformën e tij Truth Social: “Kina, ndoshta jo për habinë e disave, e ka shkelur plotësisht marrëveshjen me ne”, duke mos dhënë detaje të tjera.
I pyetur për këtë postim në CNBC, përfaqësuesi Amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, tha: “Kinezët po vonojnë zbatimin e marrëveshjes, gjë që është krejtësisht e papranueshme”.
Ai kritikoi Pekinin për vazhdimin e pengesave ndaj mineraleve kyç, duke shtuar se deficiti tregtar i SHBA-së me Kinën “vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm”.
Ai shtoi se Uashingtoni nuk po sheh ndonjë ndryshim të madh në sjelljen e Pekinit.
Zëvendësshefi i stafit të Trumpit, Stephen Miller, tha për gazetarët të premten se “Kina nuk i ka përmbushur zotimet që kishte marrë përsipër me SHBA-në”, duke mos dhënë detaje të tjera.
“Dhe kjo hap rrugën për çdo lloj veprimi nga ana e SHBA-së për të siguruar respektimin në të ardhmen”, shtoi ai.
Trump akuzon Kinën se ka shkelur marrëveshjen për tarifat
