Rigels Seliman
Një re e zezë, më e dendur se kurrë më parë, ka filluar të ulet mbi Tiranën politike. Ndërsa Rama nxin në heshtje dhe Berisha turfullon nga frika e drejtësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lëshuar mesazhin më shkatërrues që nga vitet ’90. Për herë të parë në historinë politike të Shqipërisë, SHBA uroi thjesht popullin për zgjedhjet e 11 majit, duke shmangur me kujdes çdo përmendje për fituesin Edi Rama apo humbësin e vetëshpallur Sali Berisha. Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, shkroi ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, 16 ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Ky reagim i ftohtë, është një akt që nuk lë vend për dyshime, pasi Uashingtoni i ka hequr viston të dyve. Ky është një paralajmërim ogurzi për elitën politike shqiptare, që prej vitesh mban peng vendin në një cikël korrupsioni dhe pazari të ndyrë. Madje nëse dikush kishte dyshime për qëndrimin e SHBA, le të shohë reagimet për zgjedhjet e mbajtura sëfundmi në Trinidad, Rumani, Belize apo Ekuador, ku Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) reagoi brenda ditësh dhe uroi fituesit. Por për Shqipërinë? Vetëm një fjali formale për qytetarët. Për Ramën që e kaloi gjithë prillin duke premtuar surpriza nga SHBA? Asnjë ftesë, asnjë vizitë. Heshtja është mesazhi më i fortë diplomatik kur del nga goja e një superfuqie. Ndërsa Sali Berisha, që e kishte kthyer foltoren në zëdhënëse të vuajtjeve të tij personale dhe denoncoi me forcë grabitjen e zgjedhjeve të 11 majit, nuk mori as mëshirën e një fjale. Rama dhe Berisha, dy pole të së njëjtës magnet korruptive, u lanë në mëshirën e një stuhi që po afrohet me shpejtësi.
SPAK zhbllokon uraganin
Por teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tërhoqën diplomatikisht nga çdo lloj njohjeje politike, drejtësia shqiptare nisi ofensivën më të ashpër në 30 vitet e fundit. Marrëveshja e heshtur me SPAK për të mos tronditur vendin para zgjedhjeve ka marrë fund, dhe tani rrufetë po bien mbi të gjithë. Katër drejtorë të afërt me Belinda Ballukun janë shpallur të pandehur. Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë tashmë të ekspozuar përballë akuzave të rënda, pas dosja e tyre ka shkuar për gjykim. Sali Berisha shkon në çdo seancë gjyqësore me kërcënimin e arrestit që qëndron pezull si shpata e Demokleut mbi kokën e tij. Ndërkohë që emrat më famëkeq të botës së errët, nga Suel Çela te Vis Pojes, nga Gysi me çantën e verës 35 mijë euro te Troplini i famshëm për 5 mijë votat e drogës, janë zyrtarisht në radarët e drejtësisë. Pra kjo tregon se Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk është më një institucion në pritje. Ai është kthyer në një makineri hetimore me urdhër të qartë: të shembë kastën e vjetër që ka bërë politikë me krimin, me kokainë dhe me vota të blera në errësirë. Madje në zyrat e SPAK-ut, përflitet se mbi 200 urdhër-arreste janë në finalizim. Dhjetëra dosje po mbyllen për t’u çuar në gjykatë. Kështu që me këtë ritëm, Parlamenti i ardhshëm mund të ketë më shumë vende bosh se karrige të zëna.
Të mallkuar nga aleanca e tyre
Nga ana tjetër, duhet theksuar se ata që e krijuan reformën në drejtësi për të sulmuar kundërshtarin dhe për të mbrojtur veten, sot janë pre e saj. Edi Rama dhe Sali Berisha, dy figurat që në 2008 shkëmbyen unaza për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të blinduar veten në pushtet, tani po përballen me drejtësinë që ata vetë e instaluan, por nuk e parashikuan dot. Unazat e Venedikut, siç përqeshen në korridoret e politikës ndërkombëtare, janë kthyer në zinxhirët e prangave që i lidhin fatet e tyre drejt një fundi të përbashkët. As Rama nuk shpëton më me heshtjen e ambasadorëve, dhe as Berisha me ulërimat e tij folklorike për “Republikën e re”. Monika Kryemadhi, në një intervistë dramatike para Kuvendit, deklaroi dje se “karrigia nuk është as e Monikës dhe as e Ilirit”, ndërsa kutitë e votimit plotësohen si me magji për qeverinë”.
Kjo “magji” është çelësi i dosjeve që SPAK është duke finalizuar. SHBA ka heshtur, por e ka thënë gjithçka. Europa po vëzhgon me lupën e fundit. Ndërsa në Shqipëri, ora e drejtësisë ka nisur të trokitet si kambanë alarmi. Aleanca e vjetër Rama-Berisha po shembet. Dhe ky nuk është më një paralajmërim, por është fillimi i fundit. Kjo pasi dita kur Amerika hesht dhe drejtësia flet, është dita kur politika dridhet. Kështu që e gjithë kjo panoramë, tregon se Shqipëria po hyn në një epokë ku askush nuk është i paprekshëm. As Rama. As Berisha. As Meta. Asnjë qelbësirë. Thënë troç dita e llogarisë po vjen, ndërkohë që aleanca e qelbësirave s’do ketë ku të fshihet, sepse, flete-arrestet dhe prangat janë në rrugë, ndërsa stuhia sapo ka hyrë në qytet.
Mesazhi i SHBA paralajmëron stuhi për Ramën dhe Berishën, amerikanët të neveritur nga elita e vjetër…
