Erion Alibej rrëfen vrasjet: Bashkëpunova me Nuredin Dumanin për t’u hakmarrë për vëllanë

Dëshmon në gjyqin për “Plumbin e Artë”, bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej.
Në një rrëfim të gjatë ai tregoi sesi iu fut rrugës së krimit dhe sesi u njoh me bashkëpunëtorin tjetër të drejtësisë, Nuredin Dumanin.
Erion Alibej akuzohet nga SPAK për vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, si edhe Emiliano Ramazani dhe Rigers Runaj, ndërsa tregoi se ekzekutimet janë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, Endritit.

“Nuredin Dumanin e kam njohur pasi kam dalë nga paraburgimi i Elbasanit, fillimi i 2020. Kishte dëgjuar që unë jepja 100 mijë euro për dikë qe mund të vrasë Talo Çelën dhe 200 mijë nëse ma sjellin të gjallë. Unë dija gjithçka mbi Nuredinin. Kisha prova fakte foto, adresa. Vjen Nuredini, takimi zgjati 2 orë 48 minuta. E kam regjistruar gjithë bisedën. E dëgjova për gjithçka. I tregoj foton e vëllait të tij, Dashnor Dumanit që kishte kryer atentatin, ndërsa Talo Çela ishte shofer. Më tha që nuk besonte se ishte vëllai i tij, madje më tha që ka probleme me vëllain. Unë i thashë qëndro besnik dhe unë vendos dorën në Kuran që do të ta fal gjakun e vëllait tim”, rrëfeu Alibej.
Me Nuredin Dumanin ai thotë se hartuan vrasjet e disa personave, për të cilët ai ishte i bindur se i kishin ekzekutuar të vëllain, Endritin, në 2018.
“Nuk më interesojnë fare, unë jam vrasës me pagesë më tha Nuredini. Problemin unë i thashë që e kisha me Talo Çelën. Më intereson vetëm ai. Unë i thashë që dua edhe vëllezërit Çopja, se e dija që ishin porositës të vrasjes së vëllait tim dhe të Mikel Kamami. Ai më tha i bëjmë të gjitha. E pyeta çfarë do nga unë. Unë për çdo vrasje marr gjysmat e lekëve përpara më tha”, tha Alibej.
Për vëllain e tij ai tha se është marrë gjithmonë me punë të jashtëligjshme, duke shtuar se e nisi trafikun e drogës vetëm për ta shpëtuar atë nga borxhet.
“Endriti ishte një nga ata që kishte njohjet për shpërndarje të brendshme. Kjo pasi linjat e drogës, pervec futjes në BE, ju duhej pikë e fortë për shpërndarjen. Në periudhën që shkova në Holandë, pashë që Endriti për ngarkesat në Angli kishte probleme. I ishin kapur disa dhe kishte disa borxhe. I propozova të shkoja unë në Angli, por nuk pranoi. Këmbëngula të ikja ta ndihmoja t’i shlyente. Shkova me kamion. Kisha mundësi të furnizohesha dhe të shisja kokainë, por hasa vështirësi për të gjetur shtëpi. Arrita të shlyej një borxh shumë të madh që kishte Endriti në atë kohë. Punën e ngrita në nivel të mirë dhe të madh, aq sa rashë në sy dhe nisi të përmendej emri im. Ishte kohë krize, sepse nuk kishte shumë mall, ndërkohë që kapeshin shumë dërgesa”, tha Alibej.
Nga dëshmitë e Nuredin Dumanit dhe Erjon Alibej, tre vite më parë SPAK zbërtheu të paktën 8 grupe kriminale me 32 të akuzuar, ku pjesa më e madhe janë të arrestuar, disa prej krerëve në arrati, të fshehur në Dubai apo pa gjurmë, si Talo Çela e Ervis Martinaj./vizionplus.tv