Jeta dhe krijimtaria e Lasgush Poradecit ishin në qendër të një veprimtarie, që u zhvillua në Akademinë e Shkencave. Studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka mbajti një ligjëratë me temën “Zog i qiejve – Lasgush Poradeci ndërmjet pikturës dhe poezisë”. Veprimtaria u organizua nga Komisioni i Arteve, pjesë e ASH. Fillimisht studiuesja Varvarica foli për personalitetin e Lasgush Poradecit (1899-1987) dhe solli në vëmendjen e të pranishmëve vlerësimin që i ka bërë shkrimtari i madh Ismail Kadare në korrik 2019 nëpërmjet një interviste: “Gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm, më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur…Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar, gjithmonë mendoja se si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister…”. Sipas ASH, ajo theksoi se Lasgush Poradeci në vitet ‘30 të shekullit XX ishte poeti më i njohur shqiptar.
Vargjet e tij poetike lexoheshin ethshëm nga rinia studentore e kohës. ASH thotë më tej, se Varvarica paraqiti një vështrim të shpejtë mbi kohën e jetës së Lasgush Poradecit dhe në kohët e krijimtarisë së tij në artet pamore, të cilat kanë qenë shumë të rëndësishme për poetin artist. “Këto kohë përfshijnë krijimtaritë e kryera gjatë qëndrimit të tij në Greqi, Rumani, Austri, Shqipëri në vitet `40 e në vijim. Studiuesja spikati në ligjëratën e saj fijet që i lidhin zhanret e artit të Lasgushit me njëri-tjetrin. Ajo vuri në dukje se të gjitha subjektet e personazheve femërore që pikturoi e vizatoi, e gjejnë psikun e tyre në vargjet e derdhura në poezitë e cikleve “Ylli i zemrës” dhe “Zemra e ime”, duke mos i anashkaluar të gjitha ciklet e tjera të botuara në veprat madhore të poezive filozofike dhe baladave”, thuhet nga ASH.
E bija e poetit Maria Gusho foli për disa nga motivet jetësore të poezisë, të zbuluara nga arkiva e poetit, si dhe për pasurinë e këtyre arkivave. Gjatë rrëfimeve ajo e vuri theksin te pesha që i jepte fjalës poetike Lasgush Poradeci dhe te koncepti i tij për latimin dhe përsosurinë e vargut poetik. Ligjërata u mbyll me diskutimet për persekutimin e heshtur dhe indiferentizmin shtetëror ndaj personalitetit të tij si doktor i shkencave filozofike dhe si një poet brilant i ndjenjave njerëzore të derdhura në vargje, ku psikologjia njerëzore është kryefjala e tyre. Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci u lind në Pogradec në 27 dhjetor 1899 dhe vdiq në Tiranë më 12 nëntor 1987.
Jeta dhe krijimtaria e Lasgush Poradecit, një veprimtari në Akademinë e Shkecnave
