Vjosa gati për në UNESCO, aprovohet dosja e aplikimit për shpalljen “Rezervat Biosfere”

UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar që Lugina e Vjosës të shpallet “Rezervat Biosfere”. Komiteti Ndërkombëtar i Këshillit për Rezervat e Biosferës ka miratuar dosjen e aplikimit, duke hapur rrugën për vendimin përfundimtar që pritet të merret në shtator këtë vit gjatë Sesionit të 37-të të programit MAB (Njeriu dhe Biosfera). Ndërsa për Ministrinë e Turizmi dhe Mjedisit që ndau në faqen e saj dhe lajmin që UNESCO ka dhënë rekomandim zyrtar, që Lugina e Vjosës të shpallet “Rezervat Biosfere”, kjo është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar, është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës.
“Dhe asgjë nuk ka ndodhur rastësisht, por vjen pas një pune shumë intensive të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, nga vizita e parë e Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s Audrey Azoulay në Vjosë në shkurt 2023, e deri te puna e palodhur e specialistëve të zonave të mbrojtura që ndoqën çdo hap me përkushtim e profesionalizëm. Vjosa sot nuk është vetëm lumi, por është modeli i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon, ndërsa në shtator të këtij viti pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore si një himn për natyrën dhe për njerëzit”, shprehet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Nëse miratohet, Lugina e Vjosës do të përfshihet në listën globale të pasurive natyrore, duke fituar një status prestigjioz që i njeh ndërkombëtarisht rëndësinë ekologjike dhe biodiversitetin, siguron vëmendje dhe mbështetje ndërkombëtare për ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm, etj. Lugina e Vjosës u shpall park kombëtar nga qeveria shqiptare në mars të vitit 2023. Vjosa dhe degët e saj kryesore rrjedhin nga vargmali i Pindit në Greqi, ku quhet Aoös, deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri. Lumi dhe zonat përreth tij janë ekosisteme të një biodiversiteti të konsiderueshëm dhe janë shtëpia e mbi 1100 llojeve të specieve, duke përfshirë 13 lloje kafshësh dhe dy lloje bimore të vlerësuara si të kërcënuara globalisht nga IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës).