Zgjedhjet e 11 majit, reagon Mimi Kodheli: Energjia pozitive vjen vetëm nga njerëzit

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, kandidatja për deputete e PS-së në qarkun e Tiranës, Mimi Kodheli, ka shprehur angazhimin e saj të palëkundur për fushatën dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve. Me një mesazh të fortë, ajo theksoi se energjia pozitive në politikë buron nga njerëzit dhe puna e palodhur në terren. Kodheli nënvizoi rëndësinë e reformimit të strukturave parlamentare, duke propozuar krijimin e një senati për të rritur standardet e përfaqësimit. Ajo deklaroi qartë synimin për fitore, duke shprehur besimin e plotë në procesin zgjedhor dhe listën e kandidatëve. Me këtë qëndrim, Kodheli i jep tonin një fushate dinamike, ku theksi do të jetë te angazhimi dhe lidershipi. “Kush merret me fushata duhet të ketë energji pozitive dhe kjo energji vjen vetëm nga njerëzit. Ne duhet të jemi në terren për t’ju shërbyer njerëzve. Në politikë duhet bërë gaveta, që unë e shpjegoj duke thënë që për të arritur diçka duhet të lodhesh. Dhe unë gavetën time e kam bërë dhe do ta vazhdoj ta bëj. Nuk e kam bërë vetëm në vitin 2005. Unë jam gjithmonë pjesë e 12-shes që janë në listën e mbyllur. Do të kisha shumë dëshirë që të uleshim dhe të bisedonim për të krijuar një mënyrë të re të organizimit të parlamentit. Demokracia nuk është më e re, ndaj them se ka ardhur koha për senat. Jo vetëm për të akomoduar disa persona, por për të pasur një standard tjetër. Unë jam futur për të fituar dhe nuk i kam aspak problem emrat që ndodhen në listën e hapur, të gjithë janë të nderuar.”- u shpreh zonja Kodheli.